Grupi Parlamentar i PL-së i bashkohet qëndrimit të Partisë Demokratike për 3 kërkesat
Opozita është në një linjë sa i takon aksioneve të fundit politike në Kuvendin e Shqipërisë.
Në një deklaratë për mediat, Partia e Lirisë i është bashkuar nismës së Partisë Demokratike me 3 kërkesat e deklaruara sot pas mbledhjes së grupit parlamentar demokrat.
Me një konferencë të përbashkët për shtyp nga Kryesia e PL, sekretari i përgjithshëm, Tedi Blushi në prani edhe të deputetëve Erisa Xhixho, Brunilda Haxhiu dhe Edmond Haxhinasto, akuzoi mazhorancën për shkeljen e Kushtetutës.
Kreu i grupit parlamentar të PL:
Seanca për miratimin e programit të ri qeveritar, që zgjati vetëm pesë minuta dhe kaloi pa asnjë debat, është prova më e qartë se Parlamenti i Shqipërisë nuk funksionon më si institucion i pavarur demokratik, por si strukturë e Asamblesë së Partisë Socialiste.
Edi Rama zgjodhi sot shkeljen e Kushtetutës, provokimin, shpërfilljen dhe shkeljen e çdo rregulli dhe norme themelore parlamentare, në vend të llogaridhënies, të respektimit të procedurës demokratike dhe të përballjes me opozitën dhe qytetarët shqiptarë, duke konsumuar një akt të dënueshëm dhune ndaj opozitës dhe qytetarëve shqiptarë.
Kuvendi i çertifikuar si landfilli më gjigand antikushtetues, pa debat, pa transparencë, pa llogaridhënie ricikloi sot për herë të katërt një regjim të dekompozuar nga korrupsioni, që buron nga krimi dhe punon për të, e kontrolluar fund e krye nga mafia, formatim i qelbit që prodhoi plaga e farsës elektorale të 11 Majit.
Një strukturë pushteti që buron nga krimi dhe punon për të, e kontrolluar fund e krye nga mafia, që e sheh shtetin si plaçkë për t’u pasuruar për vete, ndërsa qytetarët si skllevër dhe pengje.
Ky është Kabineti i avancimit të axhendës së qëllimshme antikombëtare të shpopullimit përmes programit zyrtar qeveritar të varfërimit.
Natyrshëm dhe programi qeverisës, që në fakt nuk ekziston njësoj si inceneratorët fantazmë, nuk i jep asnjë zgjidhje 1001 halleve të shqiptarëve, përkundrazi është një faturë edhe më e rëndë financiare që u vihet mbi supe qytetarëve më të varfër të kontinentit.
Në vend të reformave, ofron propagandë.
Në vend të mirëqenies, ofron mjerim.
Në vend të shërbimit, ofron vjedhje.
Në vend të sigurisë, ofron vdekje.
Në vend të drejtësisë, ofron pandëshkueshmëri.
Në vend të ligjit, ofron abuzim.
Në vend të dinjitetit, ofron përbuzje.
Sot, Kuvendi nuk mandatoi një qeveri të re, por e zhyti vendin më thellë në autokraci, paligjshmëri, korrupsion, krim dhe varfëri.
Programi qeverisës nuk ofron asnjë zgjidhje konkrete dhe nuk u jep asnjë zgjidhje halleve të shqiptarë dhe nuk u jep asnjë përgjigje pyetjeve të përditshmërisë së tyre.
Përse kemi taksat dhe tarifat më të larta në rajon, ndërkohë që kemi pagat dhe pensionet më mizerabël?
Përse nuk jemi sot një fuqi prodhuese, kur kemi burime natyrore dhe kapacitete që as fqinjët tanë nuk i kanë?
Përse rritet borxhin publik kur ndërkohë thellohet varfëria e shqiptarëve?
Përse nuk arrijmë të eksportojmë as sa Maqedonia e Veriut që nuk ka as det?
Përse molla e Korçës kushton më lirë në Prishtinë?
Përse në Tiranë më shpejt arrin patatja e Egjiptit dhe jo ajo e Kukësit?
Pse shumë pensionistë, detyrohen t’i blejnë ilaçet deri në 50-70% më shtrenjtë se në vendet e rajonit?
Si është e mundur që jemi vend prodhues nafte dhe e paguajmë naftën më shtrenjtë se Kosova që e importon nga ne?
Si shpjegohet që buka, veza dhe qumështi kushtojnë më lirë në vendet e Bashkimit Europian se sa në Shqipëri?
Përse numri i krerëve të lopëve dhe të imtave është përgjysmuar në mënyrë dramatike?
Përse konsumojmë ushqime kancerogjene dhe nuk ka siguri ushqimore as për domaten, kastravecin apo pjeshkën që po helmojnë dhe vendet fqinje?
Kush e zhvlerësoi euron dhe kush po i vjedh edhe remitancat e emigrantëve?
Përse një pedagog apo mësues, në Prishtinë, në Kosovën me buxhet dy herë më të vogël se sa Shqipëria, paguhet sot më shumë se në Tiranë?
Përse një vend që ka ujë mjaftueshëm dhe që prodhon energji, paguan miliona euro për dy TEC-e lundruese që nuk prodhojnë asnjë kilovat?
Përse një km asfalt kushton sot 6 herë më shtrenjtë se në vendet e BE kur ndërkohë ka qindra fshatra që nuk kanë as qendër shëndetësore e as rrugë për të kaluar një ambulancë?
Përse mjekët dhe infermierët që shkollohen këtu me taksat tona, largohen në masë drejt vendeve ku u vlerësohet dija, profesioni dhe jeta?
Përse bizneset e vogla mbyllen çdo muaj, ndërsa koncesionarët e mëdhenj shtojnë miliardat?
Përse paguajmë më shumë për shërbime të degraduara dhe marrim më pak se çdo vend tjetër në rajon?
Si shpjegohet që për luksin e Edi Ramës gjenden miliona euro, por për jetën e miliona shqiptarëve nuk gjendet asnjë zgjidhje?
Përse të varfrit varfërohen çdo ditë e më shumë, ndërsa të pasurit pasurohen gjithmonë edhe më shumë?
Si shpjegohet që Edi Rama e urren kaq shumë Kosovën, sa nuk e përmend as në programin qeverisës?
Si është e mundur që një kryeministër shqiptar fshin nga vizioni i tij politik Kosovën, gjakun dhe historinë e një kombi?
A ka kjo qeveri një plan të qartë, një strategji daljeje, dhe urtësinë për të vepruar në interes kombëtar, e jo për arsyet politike të përkohshme?
Përse Shqipëria mbetet vendi më i pasigurt për jetën, për punën, për pleqërinë, për fëmijët?
Përse një vend që ka gjithçka, mbijeton sikur të mos kishte asgjë?
Sigurisht që për këto pyetje Edi Rama nuk mund të përgjigjej, sikundër ndodhi sot me arrogancën, paligjshmërinë dhe shkeljen e rëndë të Kushtetutës, dhe besoj se askush nuk ka më iluzionin se në Bashkimin Europian mund të na integrojë një qeveri që në 12 vite në pushtet nuk ka arritur të garantojë dhe të zgjidhë njëherë e përgjithmonë çështjen e ujit të pijshëm apo që vjedh fondet e IPARD-it, për t’i çuar te inceneratorët që nuk ekzistojnë, duke penalizuar edhe për këtë vit fermerin shqiptar.
Edi Rama iu shmang sot përballjes me opozitën edhe për faktin se ai është autori i kapjes për fyti të sistemit të drejtësisë, duke e renditur Shqipërinë, si të vetmin vend në Europën demokratike ku ka të burgosur politikë, ku çdo ditë regjimi heton, përndjek, shantazhon dhe kërcënon këdo që i del përballë dhe ku rregullorja e pavlerë e burgjeve vlen më shumë se Kushtetuta e Republikës.
Prej më shumë se 10 muajsh, Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i rrëmbyer në mënyrë kriminale mbahet në izolim ekstrem pa prova, pa fakte, dhe pa një proces të drejtë ligjor.
Ndërkohë Edi Rama, provat kundër të cilit ndriçojnë si yje planetarë nga Uashingtoni në Tiranë, vijon të jetë i lirë për të vjedhur në mes të ditës dhe i pandëshkuar edhe për aferat e korrupsionit ndërkombëtar, të hetuara nga autoritetet gjyqësore amerikane, si çështja McGonigal, për shkak se reforma në drejtësi është shpërfytyruar në “Ramaformë” dhe ku SPAK është thjesht dhe vetëm një vegël e shëmtuar politike, një pistoletë në duart e Edi Ramës.
Asnjë surprizë për seancën e sotme edhe për qëndrimin e deputetëve të Edi Ramës, që më shumë se kurrë ngjasonin me guzhinetat e një inceneratori që nuk ka ekzistuar kurrë, të cilët i zëvendësuan sot kartonat me bidona benzine për t’i dhënë flakë Qeverisë së inceneratorëve për të përvëluar taksat, djegur shpresën dhe shkrumbuar të ardhmen e shqiptarëve.
Ndaj dhe në emër të grupit parlamentar të Partisë së Lirisë ne I bashkohemi qëndrimit të grupit parlamentar të PD për:
1. Kerkese per perseritjen e seances.
2. Thirrje Presidentit per mos thirrjen per betim te Keshillit te Ministrave.
3. Nisja e procedures parlamentare per shkarkimin e Kryetarit te Kuvendit.