'Asgjësimi i demokracisë'/ Vasili: Rama përdor 'banditizmin' për të mbyllur dyert e Parlamentit
Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, i ftuar në edicionin e mesditës në Syri TV, komentoi zhvillimet e fundit në Kuvend, duke akuzuar kryeministrin Rama se po ndjek një skenar të qartë për asgjësimin e parlamentit dhe eliminimin e opozitës.
Vasili tha se mënyra se si u mbyllën dyert e seancës dhe mënyra banditeske e qeverisjes tregojnë qartë se ky institucion është i kapur nga narkomafia dhe ka humbur rolin e tij përfaqësues.
Sipas tij, Rama e trajton parlamentin si një kopje të kohës së Enver Hoxhës, ku mbledhjet zhvilloheshin thjesht për formalitet dhe ligjet miratoheshin për pak minuta, pa debat e pa transparencë.
“Parlamenti nuk ka më drejtim, është i kapur dhe i përdorur nga Rama si vegël e narkomafias. Shqiptarët nuk kanë më çfarë presin nga një sallë ku fjala e opozitës mbyllet, ndërsa pushteti abuzon me gjithçka”, u shpreh Vasili.
Petrit Vasili:
"Që të jem shumë i sinqertë me ju, nuk jam absolutisht i habitur dhe nuk mund të them ndryshe. Në ndihmë të kësaj që po them dhe në koherencë të plotë, më vjen një postim që kam bërë dje, lidhur me zhvillimet e mundshme që do ndodhin në parlament.
Parlamenti është i rëndësishëm, këtë gjë nuk e diskutojmë dot, por mënyra se si mbyllen dyert në parlament dhe banditizmi që mbretëron në parlament, kërkon edhe zgjedhje e veprime të tjera alternative.
Skenari i Edi Ramës sipas mendimit tim është asgjësimi i parlamentit. Parlamenti nuk ka drejtim. Nëse ju do të ndiqni imazhet vizive që Rama bënte me Balliun sot, e dëgjuat që tha sot fjalë për fjalë: “Pushoni ose ne do kalojmë në veprim”.
Ky është Edi Rama, Dumani, Begaj, Peleshi etj., që i ka të gjitha pushtetet në dorë. Jo më larg se dje, kam ndarë këtë mendim edhe me deputetët e opozitës, që parlamenti duhej të kishte një grup deputetësh nga opozita, paralel mund të kishte një grup tjetër, dhe 40 të tjerë të ishin: 8 tek Eko Parku i Durrësit, 10 në Elbasan, 10 tek inceneratorët në Fier dhe të paraqisnin atje programin e opozitës. Pasi shqiptarët duan t’i kenë gjërat konkrete, dhe kjo punë të ndodhte në krejt Shqipërinë.
Kthimi i Shqipërisë pra në një parlament të madh. Parlamenti në atë sallë nuk është hera e parë që ndodhin ato gjëra. E mbani mend edhe herët e kaluara që buxheti është miratuar për 5 minuta, duke krijuar gjoja tensione në sallë, si e si për të mbaruar punë.
Parlamenti në kokën e Edi Ramës është parlamenti i Enver Hoxhës: mblidheshin njerëz dhe bënin sikur miratonin ndonjë ligj.
Nuk ka parlament tjetër në kokën e tij dhe përqendrimi i fuqive në parlament është joracional. Nuk do të sjellë rezultate dhe veprimi i tij sot na tregoi se narkomafia ka pushtuar parlamentin".