Dosja ‘5D/ Në GJKKO dëshmojnë ish-punonjës të UKT-së, tregojnë lidhjet me drejtorët e Bashkisë së Tiranës

Ka vijuar këtë të enjte në GJKKO procesi gjyqësor për dosjen e njohur si ‘5D’, ku të pandehur janë tre ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës: Redi Molla, Mariglen Qato dhe Taulant Tusha. Në seancën e radhës u thirrën për të dëshmuar disa ish-punonjës të Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë UKT, mes tyre edhe Jonida Hoxha, e cila ka mbajtur pozicionin e shefes së financës në kompaninë “5D”.

Me kërkesë të SPAK, dëshmoi Jonida Hoxha, e cila deklaroi se kishte punuar në UKT gjatë viteve 2015-2016, ndërsa në vitin 2020 ishte punësuar në kompaninë “5D” me detyrë shefe finance. Hoxha tha se raportonte tek Nestor Muhametllari, i cili më vonë mori detyrën e administratorit të kompanisë, pas Muhamet Petritit.

Jonida Hoxha: Kam pasur detyrë të kontrolloja të gjitha pasqyrat financiare dhe raportoja te Nestor Muhametllari. Në varësi të mi kisha 2-3 punonjës. Me Mariglen Qaton kam patur njohje që në kohën e UKT-së. Pas largimit tim nga Ujësjellësi, u takova me të dhe më ofroi punë te ‘5D’, duke më dhënë numrin e Nestorit.

Ajo konfirmoi gjithashtu marrëdhënie miqësore me një nga të pandehurit, Redi Molla.

Në seancë dëshmoi gjithashtu Oltjan Dhrami, ish-punonjës në UKT, i cili ka mbajtur detyrën e përgjegjësit në Bovillë dhe më pas drejtor inxhinierik. Dhrami konfirmoi kontakte me Mariglen Qaton gjatë kohës së punës në institucion.

Një tjetër dëshmitar, Elton Kacidhja, ish-drejtor i UKT-së dhe më herët drejtues në ndërmarrjen e punëtorëve nr. 2 në Bashkinë e Tiranës, tha se kompania “5D” kishte fituar një tender në kohën kur ai ishte në detyrë. Sipas tij, detyra e tij si drejtor përfshinte monitorimin e punimeve dhe kantierëve.

Elton Kacidhja: Kam pasur marrëdhënie normale me Nestor Muhametllarin. E kam thirrur në zyrë për çështje teknike. Punët në terren caktoheshin nga ndërmarrja, jo direkt nga drejtoria e përgjithshme.

Dosja “5D” lidhet me hetimet e SPAK mbi tendera të dyshuar abuzivë dhe bashkëpunime të dyshimta midis kompanisë private dhe strukturave publike të Bashkisë së Tiranës, në periudha kur të pandehurit kanë mbajtur pozita drejtuese. Procesi vijon ndërkohë që pritet dëgjimi i më shumë dëshmitarëve dhe përballja me provat e mbledhura nga Prokuroria e Posaçme./Raportoi: Fatjon Gjinaj – Syri TV