Rama kalon programin qeverisës, mes kaosit në parlament, ambasadori spanjoll ve duart në kokë

Në një seancë të shkurtër dhe të tensionuar parlamentare, mazhoranca kaloi vetëm programin qeverisës, pa u zhvilluar asnjë debat i vërtetë dhe pa prezantimin e tij nga kryeministri Edi Rama. Seanca e ‘maratonës’ zgjati vetëm 25 minuta, ndërkohë që opozita protestonte me forcë.

Momenti më i veçantë u kap nga kamerat kur ambasadori i Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, Gabriel Cremades Ventura, shihet duke vënë duart në kokë, ndërsa ndodhej mes diplomatëve të tjerë në sallë.

Reagimi i tij u duk si një shenjë habie ose shqetësimi për situatën e pazakontë: një parlament ku mazhoranca përdor fuqinë e shumicës për të kaluar vendime pa debat dhe ku opozita nuk mund të ndikojë në diskutim.

Situata nxiti pyetje mbi funksionimin e institucioneve dhe mbi nivelin e dialogut politik në Shqipëri, ndërsa reagimet diplomatike u panë si reflektim i shqetësimit ndërkombëtar ndaj mënyrës se si po qeveriset vendi.