'Transparencë zero dhe abuzime masive'/ Duçka: Shqipëria me sistem regresiv taksimi, oligarkët paguajnë sa një nëpunës i thjeshtë
Klea Duçka, ekonomiste në Vjenë dhe anëtare e Departamentit “Brain Gain” i Partisë Demokratike, në një lidhje për emisionin “Kafe Shqeto”, ka denoncuar situatën e rëndë socio-ekonomike në vend, duke e cilësuar atë alarmante dhe duke akuzuar qeverinë për keqmenaxhim të krizave.
Sipas saj, ekonomia shqiptare është përkeqësuar ndjeshëm nga pandemia e deri te pasojat e konfliktit Rusi–Ukrainë, ndërsa inflacioni ka goditur më shumë Shqipërinë se shumë vende të tjera.
“Shqipëria ka një skemë pothuajse primitive ndihme ekonomike, e cila funksionon si lëmoshë. Në realitet, sistemi është regresiv, sepse oligarkët paguajnë sa një nëpunës i thjeshtë, ndërsa barra bie mbi qytetarët e zakonshëm,” tha Duçka.
Ajo ngriti shqetësime të forta edhe për menaxhimin e fondeve publike, duke theksuar se abuzimet me paratë e taksapaguesve nuk përbëjnë më as lajm, për shkak të mungesës totale të transparencës. Skandalet, sipas saj, nga inceneratorët te rrugët me kosto marramendëse për kilometër, tregojnë se projektet infrastrukturore zvarriten për vite dhe shkojnë përtej çdo afati.
Duçka e cilësoi të papranueshme që një vend që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Europian të ketë nivele kaq të larta varfërie. Ajo tha se gjysma e fëmijëve në Shqipëri jetojnë në kushte skamjeje të tmerrshme, ndërsa shteti, sipas saj, nuk kujdeset për shtresat më vulnerabël.
Duçka:
Situata ekonomike në Shqipëri, nga pandemia deri tani për individët sa ka ardhur dhe është përkeqësuar. Kjo edhe për shkak të keqmenaxhimit të krizës sidomos gjatë periudhës së pandemisë por edhe gjatë fillimit të konfliktit Rusi-Ukraine ku inflacioni u rrit shumë edhe në eurozonë por sidomos edhe në Shqipëri.
Për sa i takon mënyrës se funksionimit të skemave të ndihmës ekonomike, Shqipëria ka një skemë pothuajse primitive që është në princip vetëm lëmoshë sidomos në kushtet kur të ardhurat tatohen kaq shumë dhe është një tatim progresiv, për mendimin tim sot është një sistem regresiv taksimi, sepse në realitet shumë oligarkë paguajnë sa një nëpunës i thjeshtë.
Shqipëria ka një problem të madh me menaxhimin e fondeve / parave publike, ndodhin abuzime të tmerrshme siç e kemi parë dhe vitet e fundit dhe nuk është më çudi, nuk përben as lajm që paratë e taksapaguesve abuzohen në mënyrë të tmerrshme dhe ka mungesë totale transparence, dhe në fund të ditës përballemi me lloj lloj skandalesh siç ishte skandali i inceneratorëve apo rrugët të cilat kushtojnë miliona e miliona për kilometër dhe ka projekte infrastrukturore që nuk mbarojnë kurrë, zgjasin me vite, shkojnë përtej afateve.
Është e papranueshme që si vend që aspiron për të hyrë në Bashkimin Europian ne të kemi nivele kaq të larta varfërie dhe është tamam varfëri absolute ku rreth 50% fëmijëve jetojnë në një skamje të tmerrshme.
Shqipëria është një nga vendet e vetme në Evropë në mos në Ballkan ku shteti nuk kujdeset për shtresat më vulnerabël.