Tubime mbarëkombëtare në Francë: Pritet të marrin pjesë nga 600,000 në 900,000 demonstrues

Në Francë, sot janë njoftuar rreth 250 tubime me rastin e Ditës së Mobilizimit Social, ku pritet të marrin pjesë midis 600,000 dhe 900,000 demonstrues në mbarë vendin, raportojnë mediat franceze.

Sipas Ministrisë së Brendshme, vetëm në Paris pritet të dalin në protestë nga 50,000 deri në 100,000 persona, ndërsa sindikatat paralajmërojnë një pjesëmarrje të gjerë të edukatorëve, studentëve, punonjësve të transportit, shoferëve të taksive dhe të industrisë. Për ruajtjen e rendit janë vendosur rreth 80,000 oficerë policie.

Ministri i Brendshëm, Bruno Retaillo, njoftoi që në orët e para të mëngjesit për “përpjekje për bllokada” në rajonin e Parisit, kryesisht në stacionet e autobusëve në Aubervilliers dhe Saint-Denis. Ndërprerje të transportit publik janë raportuar edhe në qytete të mëdha si Lioni, Marseja, Lilla, Tuluza, Bordo, Nanta dhe Strasburgu.

Në një telegram të dërguar prefektëve, Retaillo u kërkoi atyre të garantojnë lirinë e protestave, por njëkohësisht të sigurojnë rendin dhe qetësinë publike. Ai paralajmëroi rrezikun nga grupet ultra të majta që mund të përpiqen të depërtojnë në demonstrata dhe theksoi politikën e “tolerancës zero” ndaj çdo akti dhune ose dëmtimi të ndërtesave publike dhe institucioneve.

Kjo ditë mobilizimi është organizuar në kundërshtim të masave shtrënguese buxhetore të propozuara nga ish-ministri i Financave, François Bayroux, që sindikatat i cilësojnë si kërcënim për të drejtat sociale.

Në protestën e fundit të mbajtur më 10 shtator, Ministria e Brendshme kishte raportuar afro 197,000 pjesëmarrës.