Gjermania, Britania dhe Franca kërkojnë hapa konkretë nga Irani për programin bërthamor

Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Britanisë dhe Francës i kanë kërkuar sot në mënyrë të qartë homologut të tyre iranian të ndërmarrë “hapa konkretë” lidhur me programin bërthamor të Republikës Islamike, për të shmangur rikthimin e mundshëm të sanksioneve, që mund të ndodhë përbrenda dhjetë ditësh.

Johann Wadephul, Yvette Cooper dhe Jean-Noël Barrot zhvilluan një bisedë telefonike me diplomatin iranian Abbas Araghchi, i cili deklaroi se Irani është i gatshëm të gjejë një “zgjidhje të drejtë dhe të balancuar”.

Në përfundim të bisedës, qeveria gjermane njoftoi se “topi është tani në fushën e Iranit”.

Të tri shtetet, të njohura si grupi E3, “përsëritën ofertën për shtyrjen e afatit” përpara rikthimit të sanksioneve, pra para aktivizimit të mekanizmit të ashtuquajtur “snapback”, siç konfirmoi për AFP një burim diplomatik francez.

“Tani i takon Iranit të veprojë sa më shpejt duke marrë masat konkrete të nevojshme”, shtoi i njëjti burim.

Nga ana e tij, Abbas Araghchi theksoi se Irani është i gatshëm të arrijë një zgjidhje të ndershme që garanton interesat e ndërsjella, por paralajmëroi se për arritjen e këtij qëllimi, E3 duhet të ndjekë “një qasje të përgjegjshme dhe të pavarur” dhe të “mos ndikohet nga faktorë të jashtëm”, duke aluduar, pa përmendur drejtpërdrejt, SHBA-të dhe Izraelin.

Ndërkohë, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane deklaroi më herët se “masat e ndërmarra deri tani nga Irani nuk janë të mjaftueshme”, duke iu referuar kryesisht marrëveshjes së arritur më 9 shtator mes Iranit dhe Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) për një kuadër të ri bashkëpunimi.

Megjithatë, kjo marrëveshje nuk ka çuar ende në rifillimin e inspektimeve, të cilat u pezulluan nga Teherani pas sulmeve izraelite dhe amerikane në muajin qershor, gjatë luftës 12-ditore.

Aktualisht, qasja në objektet bërthamore iraniane lejohet vetëm me miratimin e Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit. Ndërkohë, inspektimi i disa prej objekteve më të ndjeshme, të goditura nga sulmet e mëparshme, konsiderohet veçanërisht “i ndërlikuar” për shkak të “shqetësimeve mjedisore dhe të sigurisë”, sipas autoriteteve iraniane.

Përveç rifillimit të menjëhershëm të inspektimeve nga IAEA, Berlini, Londra dhe Parisi po i bëjnë presion Iranit që të rifillojë negociatat me SHBA-në.

Teherani dhe Uashingtoni kishin nisur bisedimet në prill, por ato u ndërprenë papritur pas sulmeve të përbashkëta izraelito-amerikane në territorin iranian.

Perspektivat për rinisjen e dialogut me Uashingtonin mbeten të pasigurta, pasi Irani ka përjashtuar çdo diskutim që lidhet me kufizimin e programit të tij të raketave balistike – një kërkesë kyçe e SHBA-së.