VIDEO/ ‘Syri i natës’ - Shkatërrohet parcela me kanabis në Peqin, arrestohen 5 persona

Një operacion antidrogë është finalizuar ditën e mërkurë nga Policia e Peqinit, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit.

Operacioni i koduar “Syri i Natës”, i zhvilluar pas një hetimi disajavor me metoda proaktive, çoi në finalizimin e një aksioni të mirëorganizuar në territorin e komunës Karinë dhe Garunjë e Vogël.

U asgjësuan 112 bimë narkotike të kultivuara në zonën e njohur si “Zabeli i Akaciave”, në fshatin Karinë.

U sekuestruan armë zjarri: 1 kallashnikov, 2 pistoleta, municion luftarak, një armë gjahu, kapsolla detonatore me fitil zjarrpërcjellës, armë të ftohta (thika) dhe targa automjeti.

U arrestuan në flagrancë 5 shtetas: Qemal Kaseja, 67 vjeç dhe Qazim Kaseja, 24 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Karinë; Erges Juba, 37 vjeç, banues në Peqin; Altin Haskasa, 31 vjeç dhe Ali Haskasa, 59 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Garunjë e Vogël.

Nisi procedimi penal për shtetasin E. K., 32 vjeç.

U shpall në kërkim shtetasi A. J., për përfshirje të dyshuar në aktivitetin kriminal.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e personave të arrestuar, u gjetën dhe sekuestruan armë të ndryshme dhe municion luftarak, duke theksuar rrezikshmërinë e kësaj grupi.

Policia vijon punën për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal, si dhe për kapjen e shtetasit në kërkim dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme ligjore, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”,

“Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.