Veliaj një hap drejt shkarkimit, Rama presion këshilltarëve në seli të firmosin kërkesën! Fino thërret këshillin bashkiak
Ka mjaftuar urdhri i Edi Ramës në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste pak ditë më parë për t'i hapur rrugën procesit për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Këshilltarët socialistë të bashkisë u mblodhën pasditen e së mërkurës (17 shtator) në selinë e Partisë Socialiste dhe nën ndikimin e drejpërdrejtë të kryeministrit, kanë vendosur që të paraqesin një kërkesë të re për shkarkimin e kryebashkiakut.
Kërkesa do të paraqitet në mbledhjen e këshillit bashkiak që do të mbahet të martën me 23 shtator.
Mbledhja tek selia e PS-se
Pas shumë debateve, argumenti i zgjedhur për shkarkimin e Veliajt, do të jetë mosparaqitja e tij në detyrë për më shumë se 3 muaj, sipas nenit 62 të ligjit për vetqeverisjen vendore.
Burimet bënë të ditur se presioni ndaj këshilltarëve socialistë ka qënë shumë i fortë dhe kjo ishte arsyeja që mbledhja është zhvilluar në selinë e Partisë Socialiste.
Kryeministri Rama ka dashur që të shmangë çdo rrjedhje të mundshme votash nga mbështetësit e mbetur të Erion Veliajt brenda grupit të këshilltarëve. Kjo u verifikua edhe gjatë mbledhjes ku njerëzit e kryebashkiakut bënë reagime emocionale në favor të ish- shefit të tyre por në fund ju nënshtruan urdhrit të Kryeministrit dhe firmosën të gjithë kërkesën për shkarkimin e Erion Veliajt.
Mbledhja në bashki
Disa orë pas mbledhjes (ora 22:00) u është komunikuar nga kryetarja e Këshillit, anëtarëve të këshillit bashkiak të Tiranës mbledhja më datë 23 Shtator 2025, ora 16:00, në sallën e Këshillit Bashkiak.
Të nderuar anëtarë të Këshillit Bashkiak,
Në zbatim të nenit 53 dhe nenit 62, pika c të ligjit 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, i ndryshuar, Ju përcjell për shqyrtim dhe diskutim, pikën e rendit të ditës, si më poshtë:
1. Projektvendim “Për propozimin për shkarkim të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z.Erion Veliaj”.
Ju faleminderit,
Megi Fino
Kryetare e Këshillit Bashkiak
Shkarkimi
Nëse këshilli voton të martën shkarkimin e Veliajt, ky vendim do të shkojë më pas për firmë në tavolinën e Kryeministrit Edi Rama. Kjo lëvizje politike erdhi pas urdhrit të Edi Ramës në Asamblenë e Partisë Socialiste për shkarimin e Veliajt dhe përcaktimit prej tij të Ogerta Manastirliut si kandidate të mazhorancës për bashkinë më të madhe në vend.