'Kam 25 mijë lekë pension, jam më i lumturi'/ Ironia therëse e një pensionisti që rrëzon propagandën e Ramës: Bëra pushime në Karaibe...

Një rrëfim ironik dhe i hidhur i një pensionisti shqiptar për emisionin 'Kush Paguan' në Syri TV ka pasqyruar realitetin tronditës me të cilin përballen mijëra qytetarë të moshuar që jetojnë me pensione qesharake në një vend me çmime europiane.

“Shkova në Karaibe, atje kalova dy javë, pastaj në Dubai një javë, e më pas i rashë bregdetit tonë nga Velipoja në Ksamil,” – thotë pensionisti me një ironi therëse që godet drejtpërdrejt propagandën qeveritare për mirëqenie.

Ai vijon më tej:
“Të ardhura kemi, gjynah me u qa. Kemi 25 mijë lekë pension. Jemi pensionistët më të lumtur! Kam punuar 30 vjet në metalurgji. Të rrojë Rama sa malet… na rriti pensionet, o 300 lekë çdo vit! Siç tha ai vetë, jap edhe lekë borxh, fus edhe në bankë!”

Ky rrëfim i dhimbshëm është një pasqyrë e qartë e talljes që qeveria bën me pensionistët, të cilët, pavarësisht viteve të tëra të punës në kushte të vështira, marrin pensione që nuk i mbulojnë as shpenzimet më bazike të jetesës.

“Që nga viti ’90 kam qenë vetëm një herë në Pogradec dhe që atëherë s’kam qenë më. Fillojmë nga më elementarja: ushqimi, që është primar. Por me këto çmime, na e hanë xhepin çdo ditë,” – shprehet ai.

Në vend të rritjes së ndjeshme të pensioneve dhe mbështetjes sociale për shtresat në nevojë, qeveria Rama vazhdon të promovojë “rritje” minimale dhe tallëse, ndërkohë që kostot e jetesës rriten në mënyrë galopante.

Emisioni 'Kush Paguan' startoi sot sezonin e tij të dytë televiziv në ekranin e Syri TV.