SYRI TV/ Urdhëri i Ramës për shkarkimin e Veliajt, këshilltarët bashkiakë firmosin të gjithë
Këshilltarët socialistë të Bashkisë së Tiranës do të kërkojnë nga Këshilli Bashkiak shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut. Vendimi u mor pas një mbledhje që këshilltarët zhvilluan në selinë e PS dhe do ti paraqitet këshillit në mbledhjen e së martës. Kjo lëvizje erdhi pas urdhrit të Edi Ramës në Asamblenë e Partisë Socialiste dhe përcaktimit prej tij të Ogerta Manastirliut si kandidate të mazhorancës për bashkinë më të madhe në vend.
Nga SYRI TV
Ka mjaftuar ky urdhër i Edi Ramës në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste pak ditë më parë për ti hapur rrugën procesit për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Këshilltarët socialist të bashkisë janë mbledhur pasditen e së mërkurës në selinë e Partisë Socialiste dhe nën ndikimin e drejtpërdrejtë të kryeministrit, kanë vendosur që të paraqesin një kërkesë të re për shkarkimin e kryebashkiakut.
Kërkesa do të paraqitet në mbledhjen e këshillit bashkiak që do të mbahet të martën me 23 shtator. Pas shumë debateve, argumenti I zgjedhur për shkarkimin e Veliajt, do të jetë mosparaqitja e tij në detyrë për më shumë se 3 muaj, sipas nenit 62 të ligjit për vetëqeverisjen vendore.
Burimet bënë të ditur se presioni ndaj këshilltarëve socialistë ka qenë shumë I fortë dhe kjo ishte arsyeja që mbledhja është zhvilluar në selinë e Partisë Socialiste. Kryeministri Rama ka dashur që të shmangë çdo rrjedhje të mundshme votash nga mbështetësit e mbetur të Erion Veliajt brenda grupit të këshilltarëve. Kjo u verifikua edhe gjatë mbledhjes ku njerëzit e kryebashkiakut bënë reagime emocionale në favor të ish- shefit të tyre por në fund ju nënshkruan urdhrit të Kryeministrit dhe firmosën të gjithë kërkesën për shkarkimin e Erion Veliajt.
Nëse këshilli voton të martën shkarkimin e Veliajt, ky vendim do të shkojë më pas për firmë në tavolinën e Kryeministrit Edi Rama.
Kjo lëvizje politike erdhi pas urdhrit të Edi Ramës në Asamblenë e Partisë Socialiste për shkarkimin e Veliajt dhe përcaktimit prej tij të Ogerta Manastirliut si kandidate të mazhorancës për bashkinë më të madhe në vend.