Navalny u helmua! Gruaja e kundërshtarit të Putinit: E konfirmuan analizat laboratorike
Yulia Navalnaya, e veja e liderit të opozitës ruse Alexei Navalny, tha se dy laboratorë të huaj kanë konfirmuar se burri i saj u helmua, pas analizave mbi mostra biologjike që ishin kontrabanduar fshehurazi jashtë Rusisë.
Navalny, 47 vjeç, vdiq papritur më 16 shkurt 2024, ndërsa mbahej në një burg rreth 64 kilometra në veri të Rrethit Arktik, teksa po vuante një dënim prej 19 vjetësh burgim për një sërë akuzash që shiheshin si hakmarrje për shkak të opozitarizmit të tij
Aleatët e tij e kanë akuzuar vazhdimisht Kremlinin për vrasjen e tij – akuza që Moska i ka quajtur absurde. Zyrtarët rusë pretendojnë se ai vdiq nga një kombinim sëmundjesh, përfshirë aritminë kardiake të shkaktuar nga hipertensioni.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të mërkurën se nuk ishte në dijeni të pretendimeve të Navalnayës.
Navalnaya, publikoi një video në X ku tha se material biologjik i marrë nga Navalny ishte nxjerrë jashtë Rusisë në vitin 2024 dhe më pas u ekzaminua nga dy laboratorë.
Këto laboratorë në dy vende të ndryshme arritën në të njëjtin përfundim: Alexei u vra. Më saktësisht, u helmua,” – tha Navalnaya, duke i bërë thirrje laboratorëve të publikojnë rezultatet.
“Këto rezultate kanë rëndësi publike dhe duhet të bëhen publike. Ne të gjithë meritojmë të dimë të vërtetën,” – shtoi ajo.
Navalnaya tha gjithashtu se pamjet e kamerave të sigurisë nga dita e fundit e jetës së burrit të saj ishin zhdukur, ndonëse ai ishte nën mbikëqyrje pothuajse të vazhdueshme gjatë gjithë burgimit. Ajo nuk specifikoi se cili helm ishte identifikuar nga laboratorët.
Aleatët e Navalnyt publikuan gjithashtu fotografi të papara më parë, që sipas tyre ishin bërë brenda qelisë pas vdekjes së tij. Imazhet tregonin një qeli të ngushtë, me të vjella e gjak në dysheme, pranë një fletoreje dhe një fjalori të Oksfordit.
Leonid Volkov, një bashkëpunëtor i afërt i tij, shkroi në X se lideri i opozitës ishte “vrarë në mënyrë të tmerrshme, me helm”.
Ai shtoi: “Sado që u përpoqën të fshihnin detaje nga raportet mjekësore apo të zhduknin gjurmët, ne e dimë gjithçka për ditën e tij të fundit dhe metodën e vrasjes.”
Kremlini ka një histori të gjatë të përdorimit të helmeve kundër armiqve të tij. Vdekja e Alexander Litvinenkos në Londër nga poloniumi radioaktiv në vitin 2006, sulmi me agjent nervor ndaj ish-spiunit Sergei Skripal në Salisbury në vitin 2018 dhe një përpjekje e mëparshme për ta helmuar vetë Navalnyn, kanë forcuar reputacionin e Rusisë për përdorimin e toksinave për të heshtur kritikët dhe disidentët.
Në vitin 2020, Navalny ra në koma pas një helmimi të dyshuar me novichok nga shërbimi sekret FSB i Rusisë dhe u dërgua në Gjermani për trajtim.
Ai u shërua dhe u kthye në Rusi në janar 2021, ku u arrestua për shkelje të kushteve të lirimit me kusht dhe më pas mori disa dënime që, në total, do të arrinin mbi 30 vite burg./The Guardian- Syri.net/