VIDEO-‘Mungon prej më shumë se 3 muajsh’/ Rama urdhëron këshilltarët e PS që të shkarkojnë Veliajn
Këshilli Bashkiak i Tiranës do të mblidhet ditën e martë, 23 shtator për të shkarkuar nga detyra kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ky i fundit ndodhet në burg prej muajit shkurt kur u arrestua me urdhër të SPAK.
Dhe ky duket se është edhe argumenti që do të përdoret për shkarkimin; Mungesë e pajustifikuar prej më shumë se 3 muajsh, pa u paraqitur në detyrë.
Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme, ku këshilltarët socialistë të Këshillit Bashkiak u thirrën në selinë rozë dhe morën direktivat se si do të veprojnë me shkarkimin e Veliajt.
Dakord me shkarkimin e Veliajt kane qene te 34 keshilltaret e pranishem ne mbledhje.
Edi Rama i kërkoi Këshillit Bashkiak të Tiranës që në mbledhjen e Asamblesë së PS-së, më 11 shator, që të shkarkojë Erion Veliajn, teksa caktoi edhe Ogerta Manastirliun si kandidate të PS-së në zgjedhjet e parakohshme lokale.
Këshilli në vendimmarrje pritet t’i referohet pikës c të nenit 62 të ligjit ‘Për vetëqeverisjen vendore’ që thotë se Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave kur propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.
Gjithsesi, në këtë nen ka paqartësi dhe interpretim të kuadrit ligjor, pasi nuk përcaktohet nëse mungesa në detyrë duhet të jetë e arsyetuar apo jo, teksa Erion Veliaj ndodhet në burg që prej muajit shkurt kur u arrestua me urdhër të SPAK.
Një kërkesë të tillë, bazuar në nenin e mësipërm për shkarkimin e Erion Veliajt, këshilltarët opozitarë e kanë depozituar prej muajsh, por ajo nuk u mor parasysh nga mazhoranca, e cila duket se do të veprojë vetëm pas urdhrit të Edi Ramës, ku kryeministri cënon kështu edhe një herë autonominë e pushtetit vendor.