Tentoi të vriste një person, Policia e Kukësit arreston të dyshuarin, në pranga dhe nipi i tij

Një 47-vjeçar është vënë në prangat e Policisë së Kukësit, pasi mbrëmjen e 5 shtatorit tentoi të vriste me armë zjarri një shtetas për motive të dobëta.

Sipas njoftimit zyrtar, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit H. A., fatmirësisht pa shkaktuar të lënduar.

Menjëherë pas ngjarjes, Policia ka identifikuar dhe më pas arrestuar autorin e dyshuar, shtetasin F. (U.) D., 47 vjeç, banues në fshatin Pobreg.

Ai rezulton i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje. Autori i dyshuar përballet me akuzat për “Vrasje, mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Gjatë veprimeve hetimore u arrestua gjithashtu nipi i autorit, shtetasi S. J., 23 vjeç, banues në Kukës, i cili dyshohet se ka qenë i pranishëm gjatë konfliktit dhe nuk ka kallëzuar ngjarjen në Polici.