Dobi, pas fitores me Dinamon: Do të jem i lumtur vetëm nëse fitojmë titullin ose luajmë në Champions
Trajneri i Teutës, Enkelejd Dobi, ka shprehur kënaqësinë për fitoren minimale ndaj Dinamos në ndeshjen e prapambetur, por njëkohësisht ka theksuar se rruga drejt objektivave të mëdhenj sapo ka nisur.
“Shpirti i garës bëri diferencën. Nuk është e lehtë të luash me një lojtar më pak kundër Dinamos, që është pretendentja kryesore për titullin. Jam i gëzuar, por i lumtur do të jem vetëm nëse fitojmë kampionatin ose arrijmë të luajmë në Ligën e Kampioneve”, tha Dobi pas ndeshjes.
Ai kujtoi se skuadra është ende në ndërtim, me shumë lojtarë të rinj dhe vetëm tri javë pune të plota së bashku. “Nuk kemi luksin e ekipeve të mëdha që të përballojmë çdo tri ditë me një kontingjent të gjerë lojtarësh. Por ajo që më kënaq është karakteri dhe personaliteti që djemtë treguan në fushë”, shtoi tekniku.
Dobi pranoi se ekipi është ende në proces, por vlerësoi përkushtimin e lojtarëve për të zbatuar idetë e tij në një kohë kaq të shkurtër. Ai tha se stafi teknik po përshtatet me çdo kundërshtar për të shfrytëzuar dobësitë e tyre, duke dhënë si shembull pikën e fortë të Dinamos me pasimet vertikale që Teuta u përpoq t’i neutralizonte.
“Ekipi është në rritje, jemi të rinj në çdo aspekt, por kjo fitore tregon se jemi në rrugën e duhur. Shpresoj që me kalimin e kohës të shohim një Teutë prestigjioze, që do t’i bëjë tifozët krenarë”, përfundoi ai.