Drejtori i FBI-së rikthehet në Kongres, flet për vrasjen e Charlie Kirk: Autori u identifikua nga familjarët
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, deklaroi sot se familja e të dyshuarit për vrasjen e Charlie Kirk, Tyler Robinson — i cili tashmë është marrë në pyetje — e identifikoi djalin e tyre falë videove dhe fotove të publikuara nga FBI.
“Sapo e panë, u përballën kur ai shkoi në shtëpi, dhe kjo çoi në arrestimin e tij,” tha Patel gjatë një seance dëgjimore të Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve mbi mbikëqyrjen e FBI-së. Ai shtoi se hetimet janë ende në vijim.
Por deputeti demokrat Jamie Raskin e akuzoi Patel për mungesë serioziteti gjatë periudhës së kërkimit të autorit.
“Kur Charlie Kirk u vra dhe autori ishte ende në arrati, ju nuk qëndruat në selinë e FBI-së në Uashington për të punuar me ekipin tuaj. Në vend të kësaj, darkuat në një restorant luksoz në Manhattan dhe shpërndatë një informacion të rremë në Tëitter se i dyshuari ishte në pranga — një deklaratë që e tërhoqët një orë më vonë,” tha Raskin.
Ai shtoi se sjellja e Patel ishte aq shqetësuese “sa edhe vetë MAGA-s mbeti e alarmuar”. Sipas Raskin, problemi më i madh është se Patel “po e drejton FBI-në jo si një agjenci ligjzbatuese që ka për detyrë të mbrojë amerikanët, por si një instrument politik”.