Start zhgënjyes për kampionët, Drenica triumfon në Gjilan ndaj Dritës

Drenica ka marrë një fitore të madhe në udhëtim, duke mposhtur Dritën në Gjilan me rezultatin minimal 0-1.

Skuadra vendase e nisi më mirë takimin, duke krijuar disa raste të rrezikshme, por pa arritur të gjejë golin. Përkundrazi, ishte Drenica që kaloi në epërsi në minutën e 40-të, kur Altin Vojvoda realizoi një gol shumë të bukur për 0-1.

Drita mund ta pësonte edhe më rëndë në pjesën e parë, por portieri Faton Maloku u tregua vendimtar me disa pritje spektakolare. 45 minutat e para u mbyllën me epërsinë minimale të mysafirëve.

Edhe në pjesën e dytë iniciativa ishte e gjilanasve, të cilët provuan me Arb Manajn, Albert Dabiqajn dhe Liridon Balajn, por pa arritur të thyenin mbrojtjen e fortë të Drenicës. Nga ana tjetër, mysafirët patën raste shtesë me Altin Vojvodën dhe Kreshnik Ukën, por Maloku ishte sërish në super formë.

Deri në fund rezultati nuk ndryshoi dhe Drenica mori tri pikë të arta nga ky udhëtim.

Pas kësaj fitoreje, Drenica ngjitet në vendin e katërt me 7 pikë, ndërsa Drita mbetet në pozitën e parafundit me vetëm 2 pikë pas katër ndeshjeve. Në javën e ardhshme, Drita pret në shtëpi Prishtinën e Re, ndërsa Drenica do të përballet me Dukagjinin.