Urdhëri i Ramës për shkarkimin e Veliaj, PS mbledh me detyrim këshilltarët në selinë rozë

Këshilltarët e PS-së do të mbajnë sot në orën 17:00 një mbledhje, me urdhër të Edi Ramës, në selinë rozë, me qëllim finalizimin e shkarkimit të Erion Veliajt nga pozicioni i kryetarit të Bashkisë Tiranë.

Kjo lëvizje e mazhorancës vjen në një moment të tensionuar politik, ku ndërhyrja direkte e Ramës synon të sigurojë shumicën e votave të  nevojshme në Këshillin Bashkiak, duke shmangur çdo surprizë në votim.

Në një raportim nga selia e PS-së, gazetarja Ambrozia Meta u shpreh se mbledhja është thirrur me urgjencë, ndërsa pjesëmarrja e këshilltarëve socialistë shihet si detyrim politik, më shumë sesa një vendimmarrje e lirë. Burime brenda partisë bëjnë me dije se presioni ndaj këshilltarëve është i lartë, ndërkohë që pritet të diskutohet strategjia për të siguruar votat e nevojshme, duke pasur parasysh se rrjedhja e votave ose mungesa e disa këshilltarëve mund të prishë skenarin e Ramës.

Situata duket e tensionuar në selinë e PS, ndërsa ligjërisht procesi për shkarkimin e Veliajt është ende i paqartë dhe i debatueshëm, ku mundësia se Velaij mund të ankimojë vendimin e shkarkimit të tij në Gjykatën Kushtetuese mund të vonojë nisjen e zgjedhjeve të reja për drejtimin e Bashkisë Tiranë.

LEXO EDHE: Kulisat që këshilltarët e PS të votojnë kundër Lalit

Ambrozia Meta:

Nga 61 anëtarë që ka Këshilli Bashkiak i Tiranës, do të duhen votat e 31 prej tyre që të bëhet shkarkimi i Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut. Aktualisht, socialistët zotërojnë 34 vende në Këshillin Bashkiak të kryeqytetit. Në njëfarë mënyre, mundësia për rrjedhje votash nga ana e atyre këshilltarëve që mbështesin Veliajn ose janë të pasigurt, është bërë një nga arsyet kryesore për këtë mbledhje.

Mesa duket, mazhoranca dhe vetë Edi Rama nuk dëshirojnë surpriza në momentin e votimit. Parashikohet që Rama të mos jetë i pranishëm, pasi sipas agjendës zyrtare, ai pritet të mbërrijë në Rinas nga vizita e tij në Bruksel rreth orës 19:30. Këshilltarët pritet të diskutojnë pikërisht mbi hapat që do të ndiqen për realizimin e kësaj nisme të kërkuar nga kryeministri.

Megjithatë, duket se ekziston një ngërç ligjor, i cili është kthyer në temë debati edhe për juristët. Edhe në rast se ndodh shkarkimi i Veliajt, nëse nuk ka rrjedhje votash nga anëtarët që mund të ndihen të detyruar apo besnikë ndaj tij, procesi mund të mos përmbushet. Edhe pse kjo mund të duket utopike, realisht të gjithë anëtarët e Këshillit kanë vepruar historikisht nën urdhrat e Ramës, për të shmangur çfarëdo surprize.

Do të nevojiten gjithsej 31 vota për shkarkimin, ndërkohë që opozita e ka kërkuar zyrtarisht largimin e tij. Nuk dihet ende nëse të gjithë anëtarët e opozitës do të jenë të pranishëm në votim dhe nëse do të votojnë pro apo kundër.

Nga ana tjetër, ekziston edhe një tjetër ngërç ligjor, që ka përfshirë juristët: edhe nëse Veliaj shkarkohet, ai mund të zgjedhë ta ankimojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese. Në këtë rast, procesi do të pezullohet dhe mund të zvarritet, duke shtyrë mundësinë për zgjedhje të reja në Tiranë.

Në një nga deklaratat e tij, Edi Rama është shprehur se Parlamenti duhet të gjejë mekanizma për të qartësuar pjesën e ligjit ku përcaktohet se kryetari i bashkisë nuk duhet të mungojë në detyrë për një periudhë më të gjatë se 3 muaj, pa justifikim. Në këtë rast, Veliaj e ka të vështirë të japë një justifikim të vlefshëm, pasi ai ndodhet në burg prej afro 8 muajsh.

Nga ana e Erion Veliajt nuk ka ende një reagim zyrtar, ndaj mbetet të shihet nëse ai do ta ankimojë vendimin apo jo.