BE drejt vendosjes së tarifave për mallrat izraelite
Bashkimi Europian pritet të vendosë tarifa mbi mallrat izraelite, si përgjigje ndaj luftës në Gaza dhe shkeljeve të vazhdueshme në Bregun Perëndimor.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, konfirmoi se Komisioni Evropian ka propozuar pezullimin e disa dispozitave tregtare të Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael. Ajo theksoi se tregtia mes dy palëve në vitin 2024 arriti në 42.6 miliardë euro, ndërsa 37% e kësaj shume përfiton nga trajtimi preferencial.
“Bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme. Rreth 37% e tregtisë ka trajtim preferencial,” u shpreh Kallas për Euronews.
Komisioni Evropian pritet të miratojë zyrtarisht propozimin të mërkurën. Megjithatë, vendimi final duhet të marrë mbështetjen e një shumice të kualifikuar të shteteve anëtare, çka nënkupton se vende kryesore si Gjermania ose Italia duhet ta votojnë në favor për të hyrë në fuqi.
Kallas shtoi se në rast se disa vende anëtare kundërshtojnë planin, ajo do të paraqesë alternativa të tjera, duke theksuar se situata aktuale në Gaza është “e pambështetshme”.