Vance, Shtëpia e Bardhë premton të godasë organizatat me prirje të majta
Zëvendëspresidenti la të kuptonte se do të shënjestronte Fondacionin Ford dhe Fondacionet Shoqëria e Hapur, organizata jofitimprurëse e drejtuar nga George Sorosi.
JD Vance beson se mund të ketë unitet politik pas vrasjes së Charlie Kirk-ut. Por së pari, do të ketë pasoja të rënda.
Të hënën, zëvendëspresidenti drejtoi emisionin e përditshëm radiofonik të Kirk-ut, duke sjellë një grup prej figurave më të fuqishme të Shtëpisë së Bardhë në zyrën e tij zyrtare për një program që shërbeu si njëkohësisht homazh dhe si premtime për ndëshkim për një audiencë që në disa momente kaloi mbi 250 mijë shikues në Rumble.
Vance premtoi se do të ketë tolerancë zero ndaj "të krisurve radikalë të majtë", ndërsa zëvendësshefi i kabinetit Stephen Miller tha se do të përdorte Departamentin e Drejtësisë (DOJ) dhe Departamentin e Sigurisë Kombëtare (DHS) për të shkatërruar rrjete të paspecifikuara që sipas tij janë përgjegjëse për nxitjen e dhunës.
Komentet janë të fundit të një serie premtimesh nga presidenti dhe anëtarë të lartë të administratës për t'u hakmarrë për vdekjen e Kirk-ut duke shënjestruar kundërshtarë politikë që nxisin një kulturë urrejtjeje dhe dhune.
Presidenti Donald Trump më vonë u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se do të konsideronte shpalljen e Antifa-s, aktivistët antifashistë si "organizatë e brendshme terroriste".
"Është diçka që do ta bëja, po," tha Trump, duke shtuar se vendimi i tij do të varej nga mbështetja e zyrtarëve më të lartë. "Do ta bëja 100 për qind. Antifa është e tmerrshme."
Presidenti gjithashtu tha se kishte folur me Prokuroren e Përgjithshme Pam Bondi për akuza federale për krim të organizuar ndaj "agjitatorëve" të tjerë.
"Këto nuk janë protesta, këto janë krime, kur ata hedhin tulla mbi makinat e ICE-s dhe patrullës kufitare," tha Trump. "Ajo që po i bëjnë këtij vendi është subversive."
Më herët të hënën, Vance tha se do të "ndiqte rrjetin e OJF-ve që nxisin, mundësojnë dhe angazhohen në dhunë." Miller u tha gazetarëve në Zyrën Ovale se zëvendëspresidenti i referohej organizatave jofitimprurëse që sipas tij financojnë protesta dhe trazira të dhunshme.
Zëvendëspresidenti sugjeroi dy objektiva të hershme që prej kohësh kanë qenë në shënjestër të republikanëve: Fondacioni Ford dhe Fondacionet Shoqëria e Hapur të drejtuara nga George Sorosi. Këto organizata, tha Vance, marrin "trajtim të favorshëm tatimor" dhe ndihmojnë në financimin e The Nation, një revistë me prirje të majta që Vance e akuzoi se kishte cituar gabim Kirk-un.
Revista tha në një deklaratë se kurrë nuk ka marrë mbështetje nga Sorosi apo Shoqëria e Hapur dhe se nuk financohet aktualisht nga Fondacioni Ford. Ajo i hodhi poshtë kritikat.
"Gjatë 160 viteve tona në treg, ne kemi besuar se mospajtimi është forma më e lartë e patriotizmit dhe jemi krenarë për trashëgiminë tonë gazetareske në kërkim të një bote më të barabartë e më të drejtë," thuhej në deklaratë. "Na kanë kritikuar si zyrtarët demokratë, ashtu edhe ata republikanë dhe na vjen mirë që zëvendëspresidenti po komenton mbi atë që ka lexuar në The Nation, sepse Shtëpia e Bardhë duhet ta lexojë The Nation."
Një zëdhënës i Vance i referoi POLITICO-s dokumenteve të granteve që tregonin se Fondacioni Ford kishte dhuruar 100 mijë dollarë për The Nation në vitin 2019 për të mbështetur programin e praktikantëve të saj. Fondacionet Shoqëria e Hapur kishin dhuruar gjithashtu për një OJF më parë të lidhur me The Nation, që mbështet organizata të shumta gazetareske.
Zëvendëspresidenti, një mik i ngushtë i Kirk-ut, gjithashtu i nxiti njerëzit të denoncojnë ata që festonin vdekjen e Kirk-ut. "Madje, telefononi punëdhënësin e tyre," tha Vance. "Ne nuk besojmë në dhunë politike, por besojmë në qytetari, dhe nuk ka qytetari në festimin e një vrasjeje politike."
Autoritetet të premten njoftuan se Tyler Robinson, 22 vjeç, ishte arrestuar në lidhje me vrasjen e Kirk-ut. Ata nuk kanë ofruar motiv dhe nuk kanë diskutuar bindjet e tij politike. Por shumë njerëz, duke parë mbishkrimet mbi fishekët e papërdorur, kanë hamendësuar se ai kishte, siç tha guvernatori i Utahut Spencer Cox, një "ideologji të majtë".
"Unë besoj vërtet se ne mund të bashkohemi në këtë vend. Besoj se duhet ta bëjmë," tha Vance. "Por uniteti, uniteti i vërtetë, mund të gjendet vetëm pasi të ngjitemi në malin e së vërtetës dhe ka të vërteta të vështira që duhet t'i përballojmë."
Zëvendëspresidenti, duke cituar një sondazh të YouGov të zhvilluar pas vdekjes së Kirk-ut, theksoi se gati një e katërta e të anketuarve shumë liberalë thanë se është e pranueshme të jesh i lumtur për vdekjen e një figure politike, krahasuar me vetëm 3 për qind të të anketuarve shumë konservatorë. Një e katërta e të anketuarve shumë liberalë gjithashtu nuk u pajtuan me idenë se dhuna politike nuk justifikohet kurrë, krahasuar me vetëm 3 për qind të shumë konservatorëve.
"Ky nuk është një problem 'nga të dyja palët'," tha Vance. "Njëra palë ka një problem shumë më të madh dhe më të rrezikshëm dhe kjo është e vërteta që duhet të thuhet."
Një zëdhënës i Fondacioneve Shoqëria e Hapur tha se organizata "e dënoi abolutisht vrasjen e tmerrshme të Charlie Kirk-ut" dhe shtoi se "është e turpshme të përdoret kjo tragjedi për qëllime politike për të ndarë në mënyrë të rrezikshme amerikanët dhe për të sulmuar Amendamentin e Parë."
Transmetimi dyorësh përfshiu gjithashtu shumë zyrtarë të administratës që ndanë kujtime të përzemërta për Kirk-ut, duke folur për përkushtimin e tij ndaj besimit dhe familjes si edhe për aftësinë e tij politike. Por nuk mungoi as zemërimi i hapur i shumë prej zërave kryesorë të administratës.
Miller pretendoi se një "lëvizje e gjerë terroriste vendase" e organizatave jofitimprurëse me prirje të majta po nxit dhunën në vend, por nuk ua tha emrin.
Ai i tha Vance-it se gjëja e fundit që Kirk-u i kishte dërguar me mesazh ishte se Shtëpia e Bardhë kishte nevojë për "një strategji të organizuar" për t'i shënjestruar këto organizata dhe premtoi se do të përdorte peshën e plotë të Departamentit të Drejtësisë, Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe pjesës tjetër të qeverisë për ta bërë këtë në emër të Kirk-ut.
Menjëherë pasi videot e të shtënave ndaj Kirk-ut shpërthyen në rrjetet sociale javën e kaluar, ligjvënësit republikanë dhe influencuesit konservatorë fajësuan radikalët e majtë, duke kujtuar një diskurs të ngjashëm pas dy përpjekjeve për atentat ndaj Trump vitin e kaluar.
Në një fjalim nga Zyra Ovale, të publikuar në rrjetet sociale pas vrasjes së Kirk-ut, Trump fajësoi "të majtën radikale" dhe premtoi të ndëshkonte jo vetëm autorët e dhunës, por edhe organizatat që i financojnë e i mbështesin. Ndërkohë, Vance tha se shumica e demokratëve nuk do të kryenin kurrë një vrasje, por duke e justifikuar apo relativizuar atë, ata krijojnë një klimë ku dhuna bëhet e pashmangshme. / Politico - Syri.net