Makina me flamur dhe mesazh në xham përplaset në ndërtesën e FBI-së/ Dyshohet për akt terrorist

Një makinë u përplas me forcë në portën e sigurisë së ndërtesës së FBI-së në Pittsburgh, në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, në një ngjarje që autoritetet amerikane e cilësojnë si një akt të qëllimshëm terrori ndaj institucionit federal.

Sipas ABC News, automjeti, një Toyota e bardhë, u përplas me portën metalike rreth orës 02:40 të mëngjesit me orën lokale. Pas përplasjes, i dyshuari zbriti nga makina, mori një flamur amerikan dhe e hodhi mbi portën e godinës, përpara se të arratisej nga vendngjarja.

FBI ka identifikuar të dyshuarin si Donald Henson, banues në Penn Hills, Pensilvani. Sipas autoriteteve, ai është ende në kërkim dhe konsiderohet i rrezikshëm, ndërkohë që nuk dihet nëse ishte i armatosur në momentin e incidentit.

Në makinën e përplasur, agjentët zbuluan një mesazh të shkruar në një nga xhamat, por përmbajtja e tij nuk është bërë ende publike. Njësia e shpërthimeve u thirr në vendngjarje për të kontrolluar automjetin për ndonjë rrezik të mundshëm.

Christopher Giordano, agjenti special ndihmës i FBI-së në Pittsburgh, deklaroi:

“Ne e shohim këtë si një akt terrori kundër FBI-së. Ishte një sulm i drejtpërdrejtë ndaj kësaj ndërtese.”

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë automjetin me dritat emergjente të ndezura, portën e dëmtuar dhe flamurin amerikan të varur në të.

Hetimet janë në vijim, ndërsa policia federale dhe agjencitë e tjera të sigurisë po bashkëpunojnë për të kapur autorin dhe për të përcaktuar motivet pas këtij sulmi të dyshuar.