'Jo vetëm influenceret të përfshira...'/ Zbulohet rrjeti i prostitucionit në Dubai: Vdekje, mashtrime dhe abuzim ekstrem

Një rrjet kriminal që ofronte gra për festa luksoze seksuale në Dubai është zbuluar nga një hetim i fundit i realizuar nga BBC, duke nxjerrë në dritë detaje tronditëse për shfrytëzim, abuzim dhe vdekje të dyshimta të viktimave.

Sipas hetimit, klientët, shpesh individë të pasur dhe me ndikim, paguanin shuma që nisnin nga 1,000 dollarë për person për të marrë pjesë në festa private ku ofroheshin gra nga vende të ndryshme, përfshirë Uganda, Ukraina dhe Filipinet.

Shumë prej grave ishin influencere të rrjeteve sociale, që kërkonin të financonin jetën e tyre luksoze, por një pjesë tjetër ishin të mashtruara, duke besuar se po udhëtonin për punë të rregullt në supermarkete apo hotele. Realiteti ishte i ndryshëm dhe shpesh i dhunshëm: ato përballeshin me shfrytëzim seksual, detyrime poshtëruese dhe abuzime ekstreme.

Në qendër të këtij rrjeti qëndron Charles Mëesigëa, i njohur edhe si Abbey, një shtetas britanik që pretendon se ka qenë më parë shofer autobusi në Londër. Ai menaxhonte rrjetin duke përdorur të tjerë si shoferë apo menaxherë, ndërsa vetë shmangte çdo lidhje direkte në dokumente. Makina, apartamente dhe bileta rezervoheshin në emra të ndërmjetësve.

Hetimi zbuloi se disa nga klientët kërkonin akte jashtëzakonisht degraduese dhe fetishiste, përfshirë skenarë me përmbajtje raciste dhe të dhunshme. Gratë që refuzonin përballeshin me presion, borxhe në rritje dhe kërcënime.

Dy gra nga Uganda, Monic Karungi dhe Kayla Birungi, humbën jetën në rrethana të dyshimta pasi ranë nga ndërtesa shumëkatëshe në Dubai. Familjarët e tyre besojnë se rastet nuk janë hetuar siç duhet nga autoritetet lokale, ndërsa dyshimet për lidhje me rrjetin e shfrytëzimit po thellohen.

Një nga dëshmitaret, Mia, tregoi për BBC se Monic ishte detyruar të paguante borxhe të majme për bileta avioni, viza, ushqim dhe strehim – borxhe që dyfishoheshin çdo dy javë. Sipas saj, ato trajtoheshin si pronë dhe jo si njerëz.

Organizatat për të drejtat e njeriut kanë bërë thirrje për një hetim të thelluar ndërkombëtar dhe për ndjekje penale ndaj të përfshirëve në këtë rrjet, i cili përfshin trafikim njerëzor dhe abuzim të rëndë seksual.