Netanyahu paralajmëron Hamasin: Nëse i prekni një fije floku pengjeve izraelitë, do t’ju ndjekim gjithë jetën!

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj Hamasit, duke i kërcënuar me pasoja ekstreme nëse dëmtojnë pengjet që mbajnë ende në Rripin e Gazës, pas sulmit të tetorit 2023.

Gjatë një konference për shtyp të martën, Netanyahu tha:

“Nëse ata prekin qoftë edhe një fije floku nga pemgjet, ne do t’i ndjekim me forcë më të madhe deri në fund të jetës së tyre – dhe ky fund do të vijë shumë më shpejt nga sa mendojnë ata.”

Sipas mediave ndërkombëtare, Hamasi ka zhvendosur disa nga pengjet nga tunelet në tenda dhe banesa, me qëllim shmangien e sulmeve të mundshme nga ushtria izraelite, e cila po përgatit një operacion të gjerë në qytetin e Gazës.

Netanyahu theksoi se pengjet po mbahen në zona të rrezikshme, duke ngritur shqetësime serioze për jetën e tyre. Ai shtoi se situata ka tronditur edhe Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, i cili po ndjek nga afër zhvillimet.

Presidenti Trump u shpreh më herët se Hamasi do të “paguajë shtrenjtë” nëse përdor pengjet si mburoja njerëzore. Komentet e tij pasojnë raportet se pengjet mund të shfrytëzohen si pjesë e një strategjie për të penguar ofensivën izraelite.

Ndërkohë, familjet e pengjeve kanë rritur presionin ndaj qeverisë izraelite, duke paralajmëruar protesta të përditshme para rezidencës së Netanyahut në Jerusalem.

Ata janë vendosur me tenda dhe thonë se do të qëndrojnë aty pa afat, duke e akuzuar kryeministrin se “po i sakrifikon pengjet për qëllime politike”.
Sipas mediave izraelite, mijëra protestues u mblodhën mbrëmë jashtë shtëpisë së Netanyahut, ndërsa qindra të tjerë protestuan edhe përpara zyrës së tij.

Aktualisht, Hamasi mban ende 48 pengje, sipas vlerësimeve izraelite, ndërsa besohet se vetëm 20 prej tyre janë ende gjallë. Situata mbetet e pasigurt, teksa ushtria izraelite pritet të nisë operacionin e radhës në Gaza.