Po pse po vrapon kjo mendje e trullosur tek Diella?

Kreut te regjimit  i duhet momenti dhe nuk i intereson asgjë tjetër me përtej këtij momenti. Ai kërkon që të vrasë kohën e madhe të skandaleve dhe bëmave korruptive me shpikje të tilla sensacionale. Ju kujtohet koha e covidit19,  kur me skenarë të rreme solidariteti  tentoi që të krijonte  një Shqipëri pararojë, që e kishte pushtuar jo vetëm djalli i sëmundjes, por edhe djalli i qeverisjes. Nuk do ti harrojmë kurrë skenat e mjekëve dhe të infermierëve të veshur si kozmonaut hapësinor që do niseshin gjoja  të ndihmonin italianët e sëmurë  nëpër  spitalet  e Bergamos. Të gjithë e mësuam pak nga pak fundin e kësaj  aventure të dështuar që e shpërfytyruan keq  shembullin që donte të jepte nëpër ekrane manipuluesi.

Diella është e njëjta filozofi e këtij episodi.

Por më interesante mbetet për tu kujtuar ngjashmëria me shtetin Bektashi të  Rama -  Baba Mondit.

Mbasi iu ka dhënë drejtim pothuaj të gjitha problemeve që ka Shqipëria në fushën social - politike me një bilanc katastrofik me rreth një milion njerëz të larguar nga vendi, së bashku me Baba Mondin ata vendosën të iluminonin  Evropën e kulturës së krishterë me shembullin e krijimit të shtetit bektashi në modelin e organizimit te  shtetit katolik te Vatikanit.

Tashmë shteti bektashi i Rama-Baba Mondit  ka humbur pa nam e pa nishan dhe nuk dihet se ku ka përfunduar.

Gjithsesi ideatori i kësaj” mrekullie” e cila ka rënë humnerë e quan punë të kryer.

Diella  ç’është e drejta e ka emrin të bukur. Por perversiteti i mendjes së regjimtarit edhe një emër të bukur  shqiptarë e fut në mendjen dhe thonjtë e duarve të tij dhe e transformon në shëmtirë të gjallë.

Kjo, në qëllimin për të cilin është krijuar prej tij , kërkon ti shërbej si një dordolec në mes të xhunglës së korrupsionit. Dhe ndryshe nga dordoleci i fermës  që fshatari e ngul  mbi një shkop dhe e lë në mes të arës për të trembur sorrat apo shpendët për të mbrojtur kështu drithin ose lakrat e kopshtit, Diella e regjimtarit kryeministër, është krijuar vetëm për sytë e botës , për të  zmbrapsur furinë e madhe  të akuzave që shtohen nga dita në ditë për grabitjen e parave të taksapagueseve.

Ndoshta kjo është ideja e ndonjë bashkëpunëtori më të rafinuar nga ai në qeverisje  si Tony Bler ose Masimo Dalema etj, të cilët i ushqen si këshilltar me para të pa fundme dhe plot arrogancë, nuk denjon kurrë për t’iu bërë transparencën.

Instalimi i këtij dordoleci të ri  në përbërje të qeverisë së krijuar me votat e grabitura, përveçse është  një tmerr anormal i krijuar nga një  njeri   i krisur, që tregon se i ka shkarë mëndja fare, gjithashtu tregon përpara të gjithëve, se kjo qeverisje që ne kemi për mbi  një dekadë dhe  që i themi me të drejtë  diktaturë, ka arritur deri aty sa që si pa gjë të keq,  të bëj fantashkencë të pa konsultuar me paratë publike, duke  eksperimentuar  krijesa si Diella.

Diella nuk është  gjë tjetër  përveçse  një lodër e krijimtarisë pupuliste të “liderit global “ i cili shpreson, që të paralizojë turmat e pa informuara me çuditë e tij,  duke anashkaluar problemet dhe specifikat e teknologjisë digjitale. Krijuesit   e teknologjisë digjitale e sollën revolucionin deri tek Inteligjenca Artificiale . Dhe kjo mbetet  një mrekulli shkencore !

 Por tashti kanë “ndalur” të gjithë, për të marrë pakë  frymë mbi një vendim përfundimtarë për përdorimin e saj.

 Pse kanë ndalur ?- supozoj unë se mund  të pyes dikush.

Sepse siç thotë edhe Elon Musk, Inteligjenca Artificiale kërkon frena të përsosur, mbasi  përveç kapacitetit të lartë  energjetik që kërkon, çfardo vend, sado i zhvilluar qoftë, e ka problem të pa përballueshëm.

Këto janë probleme që gjithë bota i kupton dhe udhëhiqet drejt arsyes.

Pse nuk e bën Estonia që ka nivelin më të lartë të informacionit në Evropë? Apo Gjermania apo Holanda?Apo tërë vendet pararojë në teknologji.

 Dhe kjo ndalesë që kërkon një krijimtari më vete, nuk është kuptuar mire nga barbari  ynë i teknologjisë, i cili,  libri që ka lexuar më me vëmendje dhe ka arritur të kuptoj ndonjë gjë,  mund të jetë  “Femrat”e Bukovskit. Bota krijuese   dhe sociologjike, kanë ndalur për tiu spjeguar politikanëve dhe administratorëve të mbarë  botës, se revolucioni i Inteligjencës Artificiale është sa i mrekullueshëm aq  dhe i rrezikshëm, prandaj ka nevojë për një siguresë  dhe një pult super t֝ë kontrolluar gjatë përdorimit të saj, në mënyrë që ti paraprijë ndalimit të një vrime të zezë, e cila  mund të sillte katastrofë globale. Bota shkencore punon për siguruar një infrastrukturë ligjore mbi sigurinë e përdorimit të saj.

Përdorimi i Inteligjencës Artificiale sot, nuk është ende as në fazën e  ndonjë projekt pilot, pa lere më që tu jepte të drejtë të lire përdorueseve për aktivitete   të pa kufizuara, si në rastin e ministres së inteligjencës artificiale me emir e pagëzuar Diella .

Në Kongresin Amerikan ka kohë që po përpilohet një legjislacion strikt si fillim, ku duhet përdorur dhe ku nuk duhet përdorur me pavarësi të plotë. Gjithashtu edhe  në Japoni dhe Evropë po kështu . Pastaj mund të klasifikohet sipas testimeve, ku duhet të ketë përdorim të plotë dhe ku të pjesshëm.

Është e tmerrshme, gati e pa imagjinueshme kjo aventurë e këtij të çmenduri, ti japësh Inteligjencës Artificiale ende misterioze, një autoritet të tillë qeveritar. Aq më shumë që është plotësisht antikushtetuese. Edhe futuristët e viteve 30- të shek të kaluar   të cilët dështuan  si në teknologji ashtu edhe në arkitekturë ,do kishin ndalur të habitur dhe të tmerruar nga kjo ç’thurje mendore.

Po pse po vrapon kjo mendje e trullosur tek Diella?

Nuk e luan as topi, se arsyeja kryesore është psikologjike.

Subkoshienca e tij është një zgavër  e thellë në mendjen e njeriut të errët ,që e mbanë varur në torturën e nervozizmit të përhershëm. Edhe pushteti që ka marrë, në saj të gjenialitetit të së keqes dhe fëlliqësirave, nuk  ka për ta  kënaqur kurrë .

Drama e tij e përjetshme është, se ai dëshironte të bëhej piktor, por  nuk e  preku kurrë, asnjë çast kënaqësinë krijuese të këtij arti  të  bukur  me pikturat e tij,  ku përveç ngjyrave që mbulonte vizatimet e tij,  ato mbetën vetëm zhgarravina.

Arsyeja e dytë është   kriza që ai ka mbi supe, si vjedhës dhe manipulator i zgjedhjeve të 11 majit . Stuhisë së reagimit  ndërkombëtar dhe  zemërimit popullor ai shpreson se do ti dal përpara me Diellën, sensacionin e tij të radhës, për ti joshur ose për ti zbutur sadopak .

Arsyeja e tretë dhe më tinëzare është se kërkon të mashtroj opinionin publik me vjedhjet e ardhshme të çdo dite të qeverisjes së tij, duke e shkarkuar tërë dëmin që do tu bëj financave publike tek Inteligjenca Artificiale e ashtuquajtura Diella.