Mbrojtja e përkohshme për ukrainasit drejt përfundimit, BE propozon zgjidhje afatgjata
Teksa lufta e nisur nga Rusia kundër Ukrainës ka kaluar 1 mijë e 300 ditë dhe nuk pritet të përfundojë së shpejti, Bashkimi Evropian po përgatitet të dalë gradualisht nga regjimi i mbrojtjes së përkohshme për qytetarët ukrainas që kanë ikur nga konflikti.
Këshilli i BE-së miratoi dje një rekomandim mbi masat që synojnë të garantojnë kthimin dhe riintegrimin e refugjatëve në Ukrainë, kur kushtet në vend ta lejojnë një gjë të tillë. Gjithashtu, rekomandohet kalimi i tyre drejt statuseve të tjera të qëndrimit për ata që plotësojnë kriteret për të qëndruar në shtetet anëtare.
“Qëllimi është heqja graduale e statusit të mbrojtjes së përkohshme”, njoftoi Këshilli.
Shtetet anëtare janë të ftuara t’u ofrojnë ukrainasve të zhvendosur leje qëndrimi kombëtare, për shembull për arsye pune, trajnimi, studimi apo bashkimi familjar, nëse ata përmbushin kushtet përkatëse.
Personat që aktualisht gëzojnë mbrojtje të përkohshme duhet gjithashtu të lejohen të aplikojnë për status tjetër qëndrimi në BE, veçanërisht nëse bëhet fjalë për punë të kualifikuar.
Po ashtu, shtetet anëtare ftohen të nisin programe për kthim vullnetar, të vlefshme për një periudhë të kufizuar, në koordinim me autoritetet ukrainase dhe vendet e tjera anëtare.