UEFA, gjobë rekord për kampionët e Shqipërisë

Ndeshjet mes KF Egnatia dhe NK Olimpija Ljubljana, të vlefshme për raundet kualifikuese të kupave europiane, nuk kanë kaluar pa pasoja për kampionët e Shqipërisë.

Përveç rezultatit sportiv, që solli eliminimin e rrogozhinasve pas barazimit 0- 0 në Slloveni dhe humbjes 2-4 në Shqipëri, klubi është penalizuar rëndë edhe nga UEFA për sjelljen e tifozëve dhe ekipit.

Në takimin e zhvilluar më 14 gusht 2025, në Shqipëri, UEFA ka zbardhur një sërë shkeljesh disiplinore, duke i vendosur Egnatias një total gjobash prej 60,000 eurosh.

Konkretisht, vendimet përfshijnë sjellje të papërshtatshme të skuadrës dhe gjobë prej 5,000 euro.

Hedhje sendesh në fushë dhe gjobë prej 45,000 eurosh, transmetim mesazhi të papërshtatshëm për një aktivitet sportiv me gjobë prej 10,000 eurosh.

Kjo e çon shumën në një rekord negativ për klubin rrogozhinas, i cili për herë të parë në historinë e tij po përballet me dënime të tilla në arenën ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, edhe NK Olimpija Ljubljana nuk i shpëtoi gjobave.

Në ndeshjen e parë, më 7 gusht 2025 në Slloveni, që përfundoi pa gola, UEFA ndëshkoi skuadrën vendase me një gjobë prej 15,125 euro, për shkak të hedhjes së sendeve në fushë nga tifozët.

UEFA ka përsëritur shpesh se nuk do të tolerojë sjellje të papërshtatshme të skuadrave apo të tifozëve, veçanërisht në garat ndërkombëtare, ku imazhi i futbollit është në qendër të vëmendjes.

Për Egnatian, kjo është një humbje jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në atë të reputacionit, pasi gjobat e rënda tregojnë se ekipi duhet të punojë më shumë për menaxhimin e tifozërisë dhe disiplinën në organizimin e ndeshjeve.

Tifozët e zjarrtë të Egnatias kanë qenë një faktor i rëndësishëm në sukseset e fundit të skuadrës, por rasti i fundit është një kujtesë e ashpër se mbështetja duhet të shkojë gjithmonë paralelisht me rregullat dhe standardet e UEFA-s.

Vetëm kështu, Egnatia mund të ndërtojë një traditë solide dhe të qëndrueshme në futbollin europian.