Mitet dhe keqkuptimet rreth vaksinave: A mund ta dëmtojnë një fëmijë disa vaksina njëkohësisht?

Shumë prindër sot hezitojnë t’i vaksinojnë fëmijët e tyre, duke u ndikuar nga informacionet e rreme që qarkullojnë në rrjetet sociale mbi dëmshmërinë e vaksinave. Në rrjetet online përhapen bindje të gabuara se vaksina MMR shkakton autizëm, se konservuesit që përdoren janë toksikë, se vaksinat e kombinuara janë një mashtrim i industrisë farmaceutike, apo edhe se vaksinat e importuara janë me cilësi më të dobët. Gjithashtu, disa prindër mendojnë se është më mirë të presin që fëmija të bëhet më i madh përpara se të vaksinohet, se fruthi është një sëmundje e padëmshme që forcon imunitetin, apo se është më mirë ta kalosh sëmundjen natyrshëm.

Sipas specialistes së pediatrisë, dr. Maja Stojiljković, këto janë mite pa asnjë bazë shkencore, por megjithatë krijojnë dyshime tek shumë prindër. Ajo shpjegon se vaksinat janë preparate mjekësore që përmbajnë një formë të dobësuar ose të vdekur të agjentit shkaktar të sëmundjes, apo një fragment të tij, i cili nxit sistemin imunitar të krijojë antitrupa mbrojtës. Kjo do të thotë se vaksina e “mëson” trupin të luftojë sëmundjen pa e shkaktuar atë. Nuk është e mundur që një person të infektohet nga një vaksinë, pasi ajo nuk përmban një agjent të aftë të shkaktojë sëmundjen.

Miti më i përhapur, ai që lidhet me vaksinën MMR dhe autizmin, u përhap pas një punimi të kirurgut britanik Andrew Wakefield në vitin 1997 në revistën The Lancet. Ky punim u shpall më vonë mashtrues, u tërhoq nga revista dhe vetë Wakefield u përjashtua nga regjistri mjekësor në Mbretërinë e Bashkuar. Shkencëtarët theksojnë se ajo që lidhi vaksinën me autizmin ishte vetëm përputhja kohore mes moshës së vaksinimit dhe moshës së diagnostikimit të autizmit, dhe jo ndonjë lidhje shkakësore.

Një tjetër keqkuptim është se vaksinat nuk nevojiten më, pasi sëmundjet janë zhdukur. Por ekspertët kujtojnë se është pikërisht vaksinimi ai që ka zhdukur sëmundje vdekjeprurëse, si lia, dhe se heqja dorë nga vaksinat mund të sjellë rikthimin e tyre. Po ashtu, ideja se imuniteti natyror është më i fortë se ai i fituar me vaksinim është e rrezikshme: edhe sëmundjet e konsideruara “të lehta” mund të sjellin komplikacione serioze. Vaksinimi parandalon jo vetëm sëmundjen, por edhe pasojat e saj të rënda, dhe në rast se një i vaksinuar infektohet, sëmundja kalon shumë më lehtë.

Një tjetër mit është se vaksinat përmbajnë përbërës të dëmshëm si zhiva. Në të vërtetë, vaksinat kalojnë nëpër kontrolle shumë të rrepta të cilësisë dhe efikasitetit. Përbërësit shtesë që ato përmbajnë janë të kontrolluar dhe kanë funksion për të siguruar ruajtjen dhe efektivitetin e vaksinës. Çdo efekt i padëshiruar monitorohet dhe vlerësohet nëse ka lidhje me vaksinën.

Për sa i përket frikës se disa vaksina të marra njëkohësisht mund të dëmtojnë fëmijën, mjekët sqarojnë se sistemi imunitar është i aftë të përballojë fragmente të shumta antigjenësh në të njëjtën kohë. Përkundrazi, marrja e disa vaksinave në një vizitë ul numrin e injeksioneve dhe vizitave mjekësore, duke qenë më e favorshme për fëmijët dhe prindërit.

Por pse është e rëndësishme vaksinimi edhe për fëmijët e shëndetshëm? Për të arritur imunitetin kolektiv, duhet të vaksinohet 95-97% e popullatës fëmijërore. Në këtë mënyrë mbrohen edhe ata fëmijë që, për arsye shëndetësore, nuk mund të marrin vaksina. Rastet e epidemive të fruthit në Serbi në vitin 2017 apo të kollës së mirë që vazhduan edhe në vitin 2023, tregojnë qartë pasojat e rënies së mbulimit me vaksina.

Sigurisht, vaksinat mund të kenë efekte anësore, që zakonisht janë të lehta, si skuqje ose dhimbje në vendin e injektimit apo ethe, të cilat kalojnë për një ose dy ditë. Reaksione më serioze janë shumë të rralla. Në fakt, shfaqja e reagimeve të lehta tregon se sistemi imunitar po punon dhe po krijon antitrupa.

Ekspertët këshillojnë prindërit që burimi më i besueshëm i informacionit për vaksinimin është pediatri, dhe jo rrjetet sociale. Pyetjet dhe dilemat duhet të diskutohen me mjekun, për të marrë përgjigje të sakta dhe të sigurta.

Vaksinimi mbetet një nga arritjet më të mëdha të mjekësisë moderne, duke shpëtuar miliona jetë çdo vit. Frika e ushqyer nga mite dhe informacione të rreme në internet rrezikon jo vetëm shëndetin e fëmijëve, por edhe të gjithë komunitetit.