Mijëra izraelitë mësyjnë drejt shtëpisë së Netanyahut, rritet frika për pengjet pas ofensivës në Gaza
Mijëra izraelitë protestuan sonte jashtë shtëpisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu në Jerusalem, ndërsa rritet frika për fatin e pengjeve pasi IDF nisi një operacion për të pushtuar qytetin e Gazës.
Disa nga pengjet besohet se janë në qytet, duke u përdorur si mburoja njerëzore nga Hamasi dhe anëtarët e familjeve kanë shprehur shqetësim, se ata mund të ekzekutohen nga pengmarrësit e tyre ose të lëndohen nga sulmet e IDF-së.
Ndërsa protesta kryesore ishte jashtë rezidencës së Netanyahut, disa qindra të tjerë protestuan jashtë zyrës së tij, ku ai po jepte një konferencë për shtyp rreth ekonomisë.
«Për çfarë doni të mburreni saktësisht tani? Këtë mëngjes u zgjova, një orë larg kufirit, dhe shtëpia ime u drodh», thotë Macabit Mayer, tezja e pengjeve Gali dhe Ziv Berman, duke iu referuar shpërthimeve nga sulmet e IDF-së në Gaza që mund të ndiheshin kilometra larg.
«Çfarë po ndodh me Galin dhe Zivin që shtëpia ime, një orë larg, u drodh? Çfarë dreqin po bëni? Ku po na çoni? Në çfarë dreqin po e çoni këtë komb të mrekullueshëm? Ju nuk jeni të denjë për këtë komb», thotë ajo.
Mayer i bën thirrje Netanyahut të dalë dhe t'u drejtohet familjeve.
«Po ju pyes tani—nuk keni pse të keni frikë. Ne nuk jemi guerilas; ne jemi familje të torturuara. Thjesht dilni jashtë, për hir të Zotit, dhe flisni me ne», thotë ajo./ Times of Israel.