Osman Stafa: Shëndetësia publike në Shqipëri po shkatërrohet, pacientët me kancer lihen në mëshirë të fatit

I ftuar në emisionin “A SHOW”, gazetari Osman Stafa shpreh shqetësimet e tij të thella lidhur me situatën alarmante të shëndetësisë publike në Shqipëri, veçanërisht në trajtimin e pacientëve me kancer.

Ai denoncon mungesat kritike të pajisjeve jetësore dhe personelit të specializuar, që po shkaktojnë vonesa dhe vështirësi serioze në trajtimin të kancerit që mund të shpëtojnë jetë.

Stafa bën thirrje për përgjegjësi dhe veprim urgjent nga autoritetet shëndetësore dhe qeveria, duke theksuar nevojën për reforma dhe investime të domosdoshme në infrastrukturën dhe shërbimet mjekësore. Deklarata e tij është një apel i hapur për të mos lënë pacientët të përballen vetëm me mungesat dhe sfidat e sistemit shëndetësor shqiptar.

Pjesë nga deklarata:

Mendoj se shumica e njerëzve e kanë provuar njëherë të shkojnë tek shëndetësia publike dhe e kanë kuptuar se me çfarë është përballur. Nga ministrja e re e mjekësisë kërkojmë të paktën dy pajisje që janë të rëndësishme të jenë në punë, dhe ne nuk jemi përkëdhelur për të sëmurët që vuajnë nga kanceri. Është çmenduri që shëndetësia publike në Shqipëri nuk ka përkrahje, e cila përcakton mënyrën se si vepron kanceri, nëse ekziston apo jo dhe çfarë mjekimi duhet të bëjë. Unë kam vendosur një bast për zonjën Sala, për të cilën më kanë thënë fjalë të mira, dhe tani e kam këtë. Që ajo do të vijë në Shqipëri dhe merret për ta zgjidhur njëherë e mirë të paktën çështjen e Onkologjikut, sa kohë ka një background në këtë fushë. Nuk mendoj se zgjedhja e kryeministrit është e rastësishme, ai kërkon që çështja e Onkologjikut të mos i shkaktojë më dhimbje koke.

Brakiterapia sot nuk është në punë, një pajisje e cila është jetëshpëtuese, sepse trajtohen gratë që vuajnë nga kanceri gjinekologjik. Në kimioterapi të QSUT nuk kemi infermiere. Kemi rreth 100 paciente në ditë që bëjnë kimioterapi dhe kemi rreth 5-6 infermiere që u shërbejnë atyre. Është çmenduri, ne po mbajmë Gjermaninë me infermiere ndërkohë që nuk kemi infermiere për vete.

Rasti i Hava Tafës është 7 ditë me vonesë për trajtimin e saj me imunoterapi në spitalin Onkologjik. Kjo zonjë është rreth 66 vjeçe dhe nuk ka mjekim për të, pa imunoterapi. Nuk është i rimbursueshëm për zonjën; medikamenti ekziston në Shqipëri për zonjën, por nuk jemi të rimbursueshëm për kancerin gjinekologjik, pra kancerin e mitrës, ndërsa e kemi për kancerin e lëkurës. Si mund të bëhet kjo ndarje? Si mundesh ti thuash një pacienti që ka të drejtë të luftojë për sëmundjen që ka, të luftojë për jetën, dhe tjetri jo? Ti mund të vdesësh.

Italia është kthyer në parajsën e të sëmurëve me kancer, për fëmijët që vuajnë nga kanceri. Ne nuk bëjmë asnjë transplant të palcës kurrë për fëmijët këtu. Këtu diagnostikohen fëmijët në Shqipëri dhe gjëja e parë që bëjnë është të ikin, ndërsa këtu mbeten vetëm ata që nuk kanë para. Prindërit shesin çdo gjë, marrin kredi e më radhë, vetëm për t’u përballur me situatën e mungesës së medikamenteve dhe pajisjeve. Janë mjekët ata që u thonë të ikin.

Sa bëhet parkimi atje në QSUT? Rama tha do të bëhet xhennet këtu, të bëjnë more një spital onkologjik, se kanë shkuar 7000 raste të reja në vit. Tek Trauma mund të jetë i vetmi rast në botë që nuk kemi kardiokirurg. Ka një urdhër që e ka dhënë ish-ministria Manastirliu, që thotë që të gjitha traumet e Shqipërisë të shkojnë tek Trauma. Po mund të kemi ndonjë plagosje me armë në zemër ose armë zjarri dhe nuk ka kardiokirurg, do presësh të vijë kardiokirurgu nga QSUT. Në Trauma nuk ke pajisjen zemër-mushkërri, që i duhet kardiokirurgut.

Mjekët kanë përgjegjësi vetëm kur shfrytëzojnë situatën e sistemit dhe i çojnë në klinikat e tyre, dhe aty i rrjepin. Tek infeksionet nuk bëhen sterilizime. Tek Onkologjiku ka mungesë garzash dhe dorezash në limite, mungojnë monitorët për pacientët, aspiratorët, mungon EKG. Nuk janë kryer analiza bakterologjike tek stafi mjekësor prej vitesh, kjo është çmenduri.

Është kryer një sondazh mikrobik nga Miljana Nika dhe sapo është kryer procesi i dezinfektimit, në përgjigje ka rezultuar stafilokok dhe bacile, nuk është mbajtur procesverbal për marrjen e analizave dhe përgjigjet janë të pafirmuara. Në njësinë gjinekologjike, shefja e shërbimit Silvana Celiku referon dhe është e vërtetë se nuk janë kryer analizat bakterologjike prej vitesh në lidhje me sondazhin. Shefja referon se po, është e vërtetë që sallat kanë rezultuar me stafilokok, por ajo thotë se ka komunikuar me Miljanën dhe nuk ka problem, vazhdoni ndërhyrjet.

Këta kanë bërë një koncesion dhe ky koncesionar ka detyrë të bëjë analizat.