Donnarumma te City, Scholes shpërthen: Krim nëse United nuk është interesuar për të

Transferimi i Gianluigi Donnarumma-s te Manchester City ka shkaktuar reagime të forta në Angli, sidomos nga ish-mesfushori legjendar i Manchester United, Paul Scholes. Ky i fundit deklaroi se do të ishte një “krim i vërtetë” nëse United nuk është përpjekur ta afrojë portierin italian, kur ai ishte i disponueshëm në merkato.

Donnarumma u largua nga PSG, pasi Luis Enrique dhe drejtuesit parizienë vendosën të mos e rinovonin kontratën e tij, që skadonte pas një viti. Kjo e bëri 25-vjeçarin të ishte i disponueshëm për një çmim shumë më të ulët se vlera e tij reale, vetëm 30 milionë euro, shumë që Guardiola nuk hezitoi ta paguante për ta marrë te City.

Ndërkohë, United zgjodhi një tjetër rrugë, duke nënshkruar në ditën e fundit të merkatos me portierin Senne Lammens nga Antwerp. Një vendim që Scholes e kritikoi ashpër:

“Nëse Manchester United nuk ishte i interesuar për Donnarumma-n, kjo është një tradhti sportive. Reparti i rekrutimit është fokusuar te sulmuesit. E kuptoj që duhej jo një, por tre? Nuk jam aspak i bindur”, u shpreh ai për BBC.

Scholes analizoi edhe mesfushën e “Djajve të Kuq”, duke theksuar se kombinimet mes Casemiro-s, Bruno Fernandes dhe Mainoo nuk po funksionojnë:

“Për gjithë verën kam menduar se prioriteti absolut ishte një mesfushor me teknikë, ritëm dhe aftësi për të kontrolluar lojën. Dhe kjo nuk ndodhi.”

Në fund, ish-mesfushori komentoi edhe startin e vështirë të sezonit për trajnerin Ruben Amorim, i cili ka pësuar dy humbje në katër ndeshjet e para të Premier League dhe eliminimin befasues nga Carabao Cup përballë modestëve të Grimsby:

“Më pëlqen Amorim, është një djalë i këndshëm, por rezultatet flasin vetë. Nuk mjafton ajo që thua apo premton, në këtë moment duhet të fitosh. Nëse kjo nuk ndodh, presioni vetëm do të rritet”, përfundoi Scholes.