VIDEO/ Arjan Ndoj: Humbim 18 mandate vetëm nga rregullat e njëanshme të lojës, nuk janë zgjedhje të lira
Deputeti i Partisë Demokratike, Arjan Ndoj, i ftuar në edicionin ‘Ora 19’ në SYRI TV, ka lëshuar akuza të forta ndaj institucioneve shtetërore, duke deklaruar se ato nuk funksionojnë dhe se zgjedhjet e fundit nuk kanë qenë të lira.
Gjatë bisedës me moderatoren Armela Ferko në studion e SYRI TV, Ndoja u shpreh se, opozita futet në betejën elektorale me rregulla të njëanshme dhe e penalizuar.
‘Ne kemi disa fakte konkrete, publike, ku asnjë nga organet nuk funksionon, përfshirë edhe presidentin e Republikës, që në mënyrën e sjelljes, mënyrën si vepron, si nga pikëpamja ligjore, por edhe nga pikëpamja vizuale e sjelljes së tij,’ tha Ndoj në një intervistë për SYRI TV.
Ai shtoi se edhe organet e tjera nuk po ushtrojnë siç duhet rolin e tyre kushtetues.
‘Justitët e Kuvendit i japin Peleshit detyra se çfarë duhet të bëjë, por faktikisht funksion si administratë shtetërore, jo si administratë kuvendi. Ne jemi republikë parlamentare dhe Kuvendi është organi më i rëndësishëm në këtë vend.’
Ndoja e krahasoi situatën politike aktuale me periudha të mëparshme historike.
‘Një shekull më parë, mbreti Zog ndërmorri hapat e parë deri sa në vitin 1928 e ktheu vendin në monarki. Për ironi të fatit, po përsëritet e njëjta histori në Shqipëri. Niveli i autokracisë, arrogancës, keqpërdorimit të pushtetit ka shkuar në ato grada që edhe për vetë një pjesë të socialistëve kanë pritshmëri për një opozitë të fortë nga PD.’
Duke u ndalur te procesi zgjedhor, Ndoj deklaroi se opozita ka qenë e penalizuar që në nisje.
‘Këto zgjedhje nuk janë të lira, vetëm nisur nga rregullat e lojës me të cilat ne kemi hyrë në lojë, ne humbim 18 mandate. Pra të humbësh 18 mandate do të thotë se rregullat e lojës nuk janë të njëjta për të dy palët. Në aspektin ligjor ne hyjmë në lojë me këtë mungesë prej 18 deputetësh.’