Urdhëri i Ramës: Këshilltarët socialistë mblidhen të mërkurën për të shkarkuar Veliajn

Shkarkimi i Erion Veliajt nuk po ndodh si pasojë e drejtësisë, por si një urdhër politik i Edi Ramës.

Anëtarët socialistë të Këshillit Bashkiak të Tiranës janë thirrur me urgjencë që të mërkurën, për të firmosur largimin e ish-kryebashkiakut nga detyra, në një mbledhje që do të mbahet në orën 17:00 në selinë e Partisë Socialiste jo në institucionet përkatëse që parashikon ligji.

Ky vendim vjen vetëm pak ditë pas deklaratës së Ramës në Asamblenë e PS, ku ai kërkoi publikisht që Veliaj të shkarkohet, duke hapur rrugën për zgjedhje të reja në Tiranë. Por më shumë se sa një akt drejtësie, lëvizja shihet si një sinjal i qartë për thellimin e përçarjes brenda radhëve të Partisë Socialiste dhe pastrimin e radhëve nga rivalët politikë.

Veliaj, i arrestuar më 10 shkurt me urdhër të SPAK-ut, akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste dhe pastrim parash në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Hetimi ka nxjerrë në pah një skemë të dyshuar për zhvatjen sistematike të fondeve publike përmes tenderëve dhe favoreve klienteliste.

Por në vend që të lejojë institucionet të bëjnë punën e tyre, Rama ka marrë situatën në dorë, duke e kthyer Këshillin Bashkiak në një zyrë vulosjeje të vendimeve të tij politike. 

Një tjetër shqetësim serioz është fakti se, edhe pse Veliaj ndodhet në burg prej muajsh, PS nuk ka ndërmarrë asnjë hap të qartë institucional për zëvendësimin e tij, duke lënë Tiranën në duart e një kryetareje të përkohshme, pa një mandat të votuar nga qytetarët.

Ndërkohë, opozita e ka cilësuar këtë proces si një farsë politike, ku “drejtësia selektive” dhe “këshilltarët e komanduar” janë pjesë e të njëjtës skenografi të orkestruar nga Rama.