VIDEO/ Sami Neza: Edi Rama nuk ka asnjë deklaratë publike kundër krimit të organizuar

Gazetari dhe analisti Sami Neza i ftuar në ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, ka hedhur akuza të forta ndaj Edi Ramës, duke e akuzuar se ai nuk ka asnjë publike kundër e krimit të organizuar, që nga ardhja e tij në pushtet.

‘Në raport me SHBA-në, kjo qeveri nuk e ka profilin që buron nga Amerika për të luftuar krimin e organizuar. Ne këtë kemi parë nga SHBA, këtë fluks kemi parë. Ata flasin më pak për demokraci, por flasin më shumë për siguri dhe këputjen e çdo lidhje të pushtetit dhe shoqërive me krimin e organizuar dhe bandat e trafikut,’ tha Neza.

Sipas tij, qeveria shqiptare nuk ka marrë asnjë nismë të dukshme për të luftuar krimin e organizuar:

‘Ne kemi një qeveri që nuk kemi kryer asnjë aksion të vetëm, që të bjerë në sy, ose për të furnizuar sado pak luftën ndaj krimit të organizuar në Shqipëri.’

Neza akuzoi kryeministrin Rama se nuk ka dhënë asnjë deklaratë publike kundër krimit të organizuar në më shumë se një dekadë pushtet.

‘Edi Rama nuk ka asnjë deklaratë nga viti 2013 e deri më sot, përmes së cilës të ketë adresuar direkt çështje që lidhen me krimin e organizuar. Të ja ketë kërkuar ministrit të Brendshëm, të ketë deklaruar në parlament, të ketë bërë diçka gjatë fushatës elektorale,’ theksoi ai, duke shtuar se ‘në të gjitha fushatat elektorale ai nuk e ka përmendur asnjëherë këtë gjë.’

Në fund, analisti vuri në dukje se opozita ka qenë më e zëshme në këtë drejtim.

‘Po t’i kthehemi në retrospektivë diskursit që ka pasur opozita, e cila ka folur kundër korrupsionit, krimit të organizuar, kundër lidhjeve të pushtetit me krimin e organizuar.’- tha Sami Neza në SYRI TV.