Sot në orën 17:00 zhvillohet seanca e dytë parlamentare, në fokus zgjedhja e drejtuesve të komisioneve

Në orën 17:00 të ditës së sotme, Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë seancën e dytë parlamentare, ku pritet të votohet për drejtuesit e komisioneve të reja parlamentare.

Seanca parashikohet të jetë protokollare dhe do të përqendrohet kryesisht në formalizimin e emërimeve në krye të komisioneve të ndryshme, pas miratimit të strukturës së re parlamentare.

Kujtojmë se gjatë seancës së parë, të mbajtur më herët gjatë ditës, u regjistrua një përplasje e fortë mes opozitës dhe mazhorancës lidhur me ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit. Ndryshimet e miratuara parashikojnë rritjen e numrit të komisioneve parlamentare, duke e çuar atë nga 8 në 11, një vendim që opozita e konsideroi si përpjekje për të reduktuar rolin e saj në proceset legjislative.

Zhvillimet e mëtejshme në seancën e pasdites pritet të ndjekin një ritëm më të qetë, ndonëse tensionet politike mbeten të pranishme në sallën e Kuvendit.

Lexo dhe: Berisha: Të dërgojmë urgjentisht në Gjykatën Kushtetuese, dekretin për Diellën dhe ndryshimin e rregullores së Parlamentit

Komisionet parlamentare nën drejtimin e PD - Emrat e kryetarëve dhe nënkryetarëve 

  1 - Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe sportet - Do të drejtohet nga Luçiano Boci, Nënkryetare: Evis Kushi (PS) 
  2 - Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën - Do të drejtohet nga Ina Zhupa.   Nënkryetar Erjon Malaj (PS) 
  3 - Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale- Do të drejtohet nga Bardh Spahia. Nënkryetar: Eduard Shalsi (PS)
  4 - Komisioni për Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik - Do të drejtohet nga Jorida Tabaku. Nënkryetare: Iris Luarasi (PS)  

Komisionet parlamentare nën drejtimin e PS - Emrat e kryetarëve dhe nënkryetarëve 
  5 - Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat - Do të drejtohet nga Milva Ekonomi, Nënkryetar: Eno Bozo (PD)
  6 - Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike - Do të drejtohet nga Ulsi Manja, Nënkryetar: Oerd Bylykbashi (PD)
  7 - Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes - Do të drejtohet nga Bledi Çuçi, Nënkryetar: Klevis Balliu (PD)
  8 - Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm - Do të drejtohet Anila Denaj, Nënkryetar: Bledi Himçi (PD)
  9 - Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural - Do të drejtohet Blendi Klosi, Nënkryetar: Xhelal Mziu (PD)
10 - Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme - Do të drejtohet nga Igli Hasani, Nënkryetar:  Albana Vokshi (PD)
11 - Komisioni për Nismat qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen institucionale - Do të drejtohet nga Fatmir Xhafaj, Nënkryetar: Ivi Kaso (PD)