‘Diella’ zëvendësoi atletet e bardha të Ramës
Rrini të qetë tani njerëz të dashur të Shqipërisë sonë. Të gjithë hallet e shqiptarëve do të marrin fund pasi me dertet e përditshmërive tona do të merret Diella.
Ajo do kullosë delet në male, lopët në fushë. Ajo do nxjerrë shëtitje edhe kuajt nëpër pllajat e shumta të vendit tonë e që kur fotografohen apo komentohen nga Diella do të duken më bukur dhe me të larmishme.
Diella do të kontaktojë direkt me satelitët e ata që trafikojnë drogë më skafe apo me kontejner s’do kenë vrimë ku të futen. Këtu me duket se ja futa paksa kot. Se Diella nuk do merrej me këta. Me këta do merret vetëm Rama. Të paktën kështu ka thënë opozita se mua nuk ma mban ta them se hyn së shpejti në fuqi Kodi i Rri Penal e mund te ketë edhe efekt prapaveprues.
Pra Diella do lidhet me satelitët dhe të gjitha ndërtimet pa leje që kanë bërë shqiptarët do të paketohen. Do hidhen ne erë, do digjen si pyjet, edhe pylli ndërtim pa leje është. Kujt i morën leje pemët që të mbinin, të rriteshin. Askujt. Pra të digjen, ka më pak kosto. Fotovoltaikët do të shërbejnë edhe për fresk edhe për jeshil-llëk. Pasqyrat do jenë jeshile. Ku është problemi këtu.
Do të shkrumbohet edhe Pylli Orbital i këtij shpellarit që është në burg dhe që ka qenë Kryetar me “K” të madhe i Bashkisë në Tiranë. Kishte ide gjeniale. Edhe Diellës do ja kalonte. Disa thonë që kur te burgoset Diella do ndajë të njëjtën qeli me të. Nëse ndodh. Pastaj edhe shtatzënë do ta bënte ai se ja ka dorën dhe eksperiencën qysh nga letra që nisi në BE për atë gruan që nuk u rrëmbye kurrë. Nejse hajdut hesapi si shumica e mëkëmbësve të Ramës.
Pra Diella, do heqë të gjithë mësuesit nga puna. Do japë mësim në shkolla. Do drejtojë edhe ndeshjet e futbollit. Nuk ka më Var. E Bën Diella tani.
Por çfarë tallje me shqiptarët. Në një gazetë franceze u botua lajmi për Diellën e Ramës. Në komentet poshtë, të atyre që kishin lexuar informacionin, njëri shkruante, “ju lutem mos i tallni me shqiptarët”. E falënderova në heshtje komentuesin dhe se di pse Diella mori pamjen e atleteve të Ramës nëpër takimet e konferencave ndërkombëtare. Atlete që mbajnë erë.
U bëra çorbë. Të kthehem në atdhe. Pastaj Diella do të merret me zhdukjen e mbetjeve që kanë pushtuar edhe në tokësore edhe në ajrore Shqipërinë. Diella një foto, e ka këtë problem. Edhe ata që janë në burg për vjedhjen e parave të inceneratorëve do të dalin të pafajshëm. Të gjithë pa përjashtim. Modeli i qeverisjes ë Diellës është krejt ndryshe nga ai prindit 1 ose 2 që e lindën atë.
Pra Diella do diellojë vendin tonë. Askush nuk do ti shpëtojë syrit “shqiponjë” të saj. Me lugë floriri do hamë. Do habitet edhe Lulzim Basha me ketë shpikje të mikut të tij. Në fillim mu duke se kishte edhe pak imazh nga ai sidomos tek pjesa e vetullave të Diellës. Nejse.
Tani pasi u shpik Diella. Duhet të merremi me të. Seriozisht. Të mësojmë të bindemi, të mos flasim kundër qeverisë, të mos komentojmë sjelljen e atyre frymoreve që rrethojnë Diellën dhe e duartrokasin kur vendos gjithmonë në favor të oligarkëve të tyre. Dhe që ta dini kjo nuk quhet diktaturë si ajo e atij të para ’90. Jo mor zotëri, është diktaturë moderne e ndryshme nga ajo. Asht inteligjence artificiale e nuk mund të kapet aq lehtë. Por me kalimin e kohës “deri në vitet 2050” edhe mund ta kuptojmë. Kështu tha "lideri". Ku keni parë që të ketë “rotacion” edhe demokratik. Rotacion do të bëjë “vetëm” me Diellën. Kaq.
Dhe si fillim, malli u shit mirë. Me mirë se atletet e bardha.