Ndryshimi i rregullores së Kuvendit, Kaso: Kjo sjellje e rilindjes hap i rëndësishëm mbrapa për proceset integruese
I ftuar në edicionin e mesditës në Syri tv ka qene deputeti i Partisë Demokratike Ivi Kaso.
Në bisedë me moderatorin Edvin Parruca ai ka komentuar sjelljen e mazhorancës gjatë ditës së sotme në Parlament ku u mazhoranca përdori kartonët për të bërë ndryshime në rregulloren e funksionimit të Kuvendit.
Ivi Kaso: Me procedurë të përshpejtuar dhe pa konsensus me opozitën u kërkua që të ndryshohej rregullorja e Kuvendit, në shkelje flagrante të asaj çfarë parashikon kushtetuta për shqyrtimin qoftë edhe me procedurë të përshpejtuar të nismave të tilla të rëndësishme dhe duke u tentuar që jo vetëm të kalohej e forcën e kartonit por edhe duke i mohuar të drejtën opozitës për një debat të barabarta, për një debat të sinqertë për një rregullore e cila mbas Kushtetutës së Republikës dhe ligjeve me shumicë të cilësuar është ndoshta akti normativ që ka vlerë më të lartë që rregullon hapësirën e bashkëjetesës demokratike në sallën në të cilën sovrani na ka mandatuar të gjithëve.
Le të themi që u tentua që të merrej një precedent parlamentar i ndodhur në vitin 2017 dhe të konsiderohej si një traditë e konsoliduar e parlamentit të Shqipërisë, gjë që nuk është aspak e vërtetë. Kujtojmë këtu se për një gjë shumë herë më të lehtë se kaq, ishte mazhoranca e sotme në kohën kur ishte në opozitë në vitin 2013 që mbajti penge proceset integruese të vendit. Ju kujtoni tre ligjet e famshme që u bënë pengesë për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat. Në kohën kur PD kishte përgjegjësinë e qeverisjes së vendit dhe njëri prej tyre ishte pikërisht rregullorja e kuvendit, pavarësisht se mazhoranca e PD i kishte votat në atë kohë që ta ndryshonte, përsëri u kërkua nga partnerët tanë në BE, konsensusi si një vlerë e rëndësishme në një parlament demokratik dhe në një shoqëri demokratike. Pra i rëndësishëm ishte standardi që duhej të arrihej dhe jo rezultati, ndryshimi i njëanshëm i kushtetutës. Dhe pikërisht për të njëjtin standard dhe për të njëjtën kërkesë të partnerëve tanë evropianë në proceset integruese u paralajmërua mazhoranca e sotme por qartësisht siç duket me arrogancën që i vjen nga një pushtet ilegjitim dhe nga një parlament që del si një produkt i farsës zgjedhore të 11 majit, janë tashmë në atë arrogancën, dhe nuk duan të ja dinë jo vetëm në atë çfarë parashikon kushtetuta. Ligjet e Shqipërisë, rregullorja e parlamentit, tradita parlamentare e këtij vendi, por mbi të gjithë se si do të shihen këto hapa të njëanshëm nga partnerët tanë evropianë në atë që ata përbetohen se është prioriteti i këtij mandati, pra i proceseve integruese të vendit.
Partnerët evropiane kanë mbajtur qartë standardin kur kanë kërkuar, veçanërisht për ndryshimin e një akti të tillë kaq të rëndësishëm që është rregullorja e kuvendit. E kanë përcaktuar standardin në 2013 dhe nuk ka asnjë shans që ky standard të ndryshojë.
Prandaj ky nxitim për ti ndryshuar, ky ndryshim me forcën e kartonit nuk na çon një hap përpara drejt proceseve integruese, nuk i jep një dimension tjetër shpejtësisë se Shqipërisë në këto procese por përkundrazi shënon një hap të rëndësishëm mbrapa për sa i përket sdandarateve. Jo vetëm prishjen e konsensusit, midis mazhorancës dhe opozitës por mbi të gjitha shkelmimin e kushtetutës së vendit, që ditën e parë të drejtimit të kuvendit, që ditën e parë që kjo supermazhorancë për sa i përket numrave dalin në një proces ilegjitim, provohet se është sinjali me i rrezikshëm që mund tu japin ne partnerëve tanë në proceset integruese.