E trishtë! Regjisori dhe aktori i famshëm ndahet nga jeta

Regjisori dhe aktori i famshëm, Robert Redford ësht ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare.

New York Times raporton se Redford ka ndërruar jetë në banesë dhe prej disa kohësh s’kishte qenë në gjendje të mirë shëndetësore.

Redford u bë i njohur për interpretimet e tij brilante në filma që tashmë janë pjesë e historisë së kinemasë, si “Butch Cassidy and the Sundance Kid” dhe “All the President’s Men”. Përveçse aktor i shkëlqyer, ai u dallua edhe si regjisor, duke realizuar filma të vlerësuar nga kritika, përfshirë “Ordinary People”, që i solli çmimin “Oscar” për regjisorin më të mirë, si dhe “A River Runs Through It”.

Pasioni i tij për artin e filmit e çoi në krijimin e Institutit Sundance, një organizatë jofitimprurëse që mbështet kinemanë dhe teatrin e pavarur dhe që njihet gjerësisht për Festivalin e Filmit Sundance, i cili ka shërbyer si trampolinë për qindra kineastë të rinj.

Përtej botës së kinemasë, Redford ishte një ambientalist i përkushtuar. Ai u zhvendos në vitin 1961 në malet e Utah, ku nisi një angazhim të gjatë për ruajtjen e peizazheve natyrore të këtij shteti dhe të gjithë Perëndimit Amerikan. Aktivizmi i tij në mbrojtje të mjedisit e bëri të njohur jo vetëm si artist, por edhe si një zë i fuqishëm për ruajtjen e trashëgimisë natyrore.