Bardhi: Mazhoranca ndryshon strukturën e Kuvendit pa opozitë dhe në shkelje të Kushtetutës
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, teksa foli për mediat në përfundim të seancës parlamentare, kritikoi mazhorancën për vendimin e njëanshëm dhe pa konsultim me opozitën për ndryshimin e strukturës organizative të Kuvendit. Ai theksoi se ky institucion kushtetues po trajtohet në mënyrë arbitrare, duke shkelur procedurat e parashikuara nga Kushtetuta dhe rregullorja, ndërsa grupi i tij parlamentar ka refuzuar të marrë pjesë në këtë proces që e konsideron antikushtetues dhe pa konsensus.
Gazment Bardhi: Asnjë konsultim pa përfshirjen e opozitës, pa konsensus, ka vendosur të ndryshojë strukturën organizative të Kuvendit, që është institucion Kushtetues që ushtrojnë funksionin e tyre deputetë që përfaqësojnë të gjitha forcat politike.
Shtuar kësaj, pra, propozimit të njëanshëm dhe pa gjithëpërfshirje, sot kanë vendosur ta kalojnë brenda 24 orëve në shkelje të procedurës parashikuar nga Kushtetuta dhe rregullorja.
Për këtë arsye, grupi jonë parlamentar pasi ka dhënë të gjitha argumentat, qoftë në seancën e orës 10, qoftë në mbledhjen e këshillit për rregulloren, mandatet dhe imunitetin, qoftë gjatë kësaj pjese të seancës plenare, vendosëm të mos përfshihemi në këtë procedurë antikushtetuese.