Trump urdhëron heqjen e materialeve për skllavërinë nga parqet kombëtare amerikane

Administrata e Donald Trump ka urdhëruar heqjen e tabelave dhe ekspozitave që lidhen me historinë e skllavërisë në disa parqe kombëtare të SHBA-ve, përfshirë fotografinë e njohur të një ish-skllavi me plagë në shpinë, të quajtur “The Scourged Back”. Vendimi është pjesë e një urdhri ekzekutiv të nënshkruar në mars, që kërkon eliminimin e asaj që Trump e përshkruan si “ideologji korrozive” që, sipas tij, denigron figurat historike amerikane.

Sipas burimeve të Washington Post, stafi i Shërbimit të Parqeve është udhëzuar të raportojë çdo informacion apo material që konsiderohet në kundërshtim me politikën e re, përfshirë tabelat që flasin për racizmin, skllavërinë, të drejtat e grave, komunitetin LGBT apo persekutimin e popujve indigjenë.

Konkretisht, janë shënjestruar informacione në “Harpers Ferry National Historic Park” në Virxhinia Perëndimore, ku abolicionisti John Brown udhëhoqi një kryengritje për të armatosur skllavët, si dhe në “President’s House Site” në Filadelfia, ku George Washington mbante skllevër. Aktivistë dhe akademikë e kanë cilësuar këtë ndërhyrje si të paprecedentë dhe një përpjekje për të rishkruar historinë.

Ekspertët theksojnë se heqja e fotografisë së vitit 1863, që shokoi opinionin publik në Veri dhe ndikoi në vendosmërinë për të mposhtur Konfederatën, është veçanërisht problematike, pasi ajo është kthyer në një simbol të fortë të luftës për çlirimin e afro-amerikanëve. Organizatat për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore paralajmërojnë se heqja e këtyre elementeve do të cenonte thellësisht kuptimin historik të këtyre vendeve.