SYRI TV/ Fermerët e Beratit drejt kolapsit për treg - Perimet mbeten në sera, s`ka eksporte
Fermerët në fshatrat e Beratit, po përballen me mungesë tregu për shitjen e prodhimeve bujqësore. Ata tregojnë se grumbulluesit nuk po eksportojnë më prodhime bujqësore në vendet e BE, për shkak të frikës së bllokimit të prodhimeve shqiptare në doganat e vendeve të rajonit. Fermerët akuzojnë shtetin si fajtorin kryesor në dëmtimin e imazhit të bujqësisë shqiptare, ndërsa vetë grumbulluesit konfirmojnë ndaljen e eksporteve.
Syri tv
Bllokimi i prodhimeve bujqësore shqiptare në doganat e vendeve të Bashkimit Evropian, nën dyshimin e përmbajtjes së lartë të pesticideve të rrezikshme për shëndetin, po dëmton fermerët në Berat.
Në fshatin Samaticë të bashkisë Dimal, fermerët tregojnë se grumbulluesit kanë ndalur eksportet, ndërsa në sera po kalben prodhimet bujqësore.
Sasi të mëdha domatesh kanë mbetur pa vjelë në serat e Samaticës, ndërsa për fermerët në këtë situatë fajtori kryesor është shteti.
Edhe vetë grumbulluesit kanë konfirmuar, se pas ndalimeve të prodhimeve shqiptare në Kroaci, veprimtaria e tyre e eksportit është vënë në pikëpyetje.
Fermerët hedhin akuza edhe ndaj institucioneve shtetërore,të cilat sipas tyre nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për të mbrojtur imazhin e bujqësisê shqiptare dhe për të ndihmuar fermerët në gjetjen e tregjeve alternative. Ata kërkojnë urgjentisht ndërhyrjen e Ministrisë së Bujqësisë dhe strukturave përkatëse për të shmangur falimentimin e tyre të sigurt.