'Komisioni për raportet me kartelet e drogës'/ Këlliçi: Në Kuvend ka bashkëpunëtor të krimit! Po i mbyllni gojën opozitës
Deputeti i PD, Belind Këlliçi, ka mbajtur fjalën e tij në seancën e sotme plenare, ku po diskutohen ndryshimet ligjore për komisionet parlamentare.
Sipas Këlliçit, mazhoranca socialiste ka shkelur konsensusin e 3 dekadave dhe po përdorin ulëset e siguruara nga bashkëpunimi me krimin e organizuar për t’i mbyllur gojën opozitës.
Këlliçi: Më bën përshtypje kjo nevojë e juaja për të kufizuar edhe kolegët e anëtarët e partisë tuaj për të mbrojtur dhe kërkuar më shumë hapësira për vete. Më bën përshtypje që ju shkelni konsensusin e vendosur në këtë salllë për 3 dekada kur vjen puna te diskutimi i çështjes së rregullores së kuvendit, dhe nuk i jepni hapsirën as kolegëve tuaj për të diskutuar për arkitekturën e re të komisioneve të përkoheshme parlamentare dhe as opozitës për të bërë propozimet e saj. E kam të pamundur të votoj ‘pro’ ndryshimit të kësaj rregulloreje, për sa kohë aty nuk shoh një komision të domosdoshëm të marrëdhënieve me karteleve të drogës dhe me grupet e strukturuara kriminale, ku duhet të jetë një komision njëpartiak dhe ku ju po i hyni në hak, anëtarëve dhe kolegëve tuaj, përfaqësuesve ekselent dhe të denjë të bandave të Qarkut Elbasan, Durrës, Shkodër dhe Tiranë. Po i hiqni të drejtën Nesti Angonit që të jetë kryetar i përhershëm i një komisioni parlamentar.
Për ta kaluar këtë çështje në heshtje dhe me forcën e kartonëve, kjo dihet pasi ju kartonat i keni.
Mos mendoni se kjo çështje nuk do të jetë pjesë e debatit publik dhe i informimit të qytetarëve shqiptarë dhe e llogaridhënies.
Sot po përdorni ato ulëse që keni marrë përmes bashkëpunimit ekselent që keni si forcë politike me krimin e organizuar dhe me grupet e strukturuara kriminale, dhe po tentoni t’i mbyllni gojën opozitës.