Trump kërcënon të majtën radikale: Antifa në listën e zezë të terrorit
Donald Trump do të marrë në konsideratë shpalljen e Antifa-s organizatë terroriste, ndërsa administrata e tij po shfaq tolerancë zero ndaj grupeve të majta të akuzuara për nxitje dhune.
Presidenti amerikan tha se do të mbështeste ndalimin e rrjetit radikal të majtë pas vrasjes së Charlie Kirk-ut nga një atentator i akuzuar se shprehte pikëpamje antifashiste.
Influencuesi konservator dhe miku i ngushtë i Trump-it u vra nga një plumb i vetëm, i qëlluar nga një snajper në një çati rreth 130 metra larg vendit ku ai po mbante një tubim në Universitetin e Luginës së Utah javën e kaluar.
Vrasja e tij ka shkaktuar një valë frike për rritjen e radikalizimit të majtë në SHBA, pas disa tentativave për atentate ndaj Trump-it vitin e kaluar.
"Do ta bëja, 100 për qind," tha Trump kur u pyet për shpalljen e Antifa-s grup terrorist gjatë një sesioni pyetje-përgjigje me gazetarët në Zyrën Ovale.
Ai shtoi: "Antifa është e tmerrshme."
Trump i bëri këto komente gjatë nënshkrimit të një memorandumi që zyrtarizonte një fushatë kundër krimit në Memphis, Tennessee.
Ai tha se task-forca do të ishte një "kopje" e asaj që ai kishte dërguar në kryeqytetin, Washington DC, në gusht.
"Përpjekja do të përfshijë Gardën Kombëtare, si edhe FBI-në dhe agjenci të tjera federale," tha Trump, duke shtuar se kjo ishte "shumë e rëndësishme për shkak të kriminalitetit të madh".
"Me shumë gjasë, më pas do ta ketë radhën Chicago," tha ai.
Tyler Robinson, 22 vjeç, u arrestua për vrasjen. Sipas FBI-së, fishekët e armës së krimit kishin të gdhendura mesazhe si: "Ej fashist! Kape!" dhe "Bella Ciao", një këngë antifashiste italiane e Luftës së Dytë Botërore.
Gjatë sesionit në Zyrën Ovale, Trump tha se besonte që Robinsoni ishte radikalizuar në internet dhe "mori shumë shpejt një rrugë të keqe".
Vdekja e Kirk-ut ka shkaktuar tronditje të thellë në Shtëpinë e Bardhë.
Pas vdekjes së tij, Trump mbajti një fjalim nga Zyra Ovale, duke u zotuar të shpërbëjë "të majtën radikale".
E majta radikale ishte "drejtpërdrejt përgjegjëse për terrorizmin që po shohim sot në vend," tha ai.
Stephen Miller, zëvendësshefi i kabinetit të Trump-it, është zotuar të "shpërbëjë dhe shkatërrojë" grupet e majta që akuzohen për nxitjen dhe organizimin e dhunës politike në emër të Kirk-ut.
"E majta radikale po shkakton vërtet shumë probleme për këtë vend. Unë mendoj se ata e urrejnë vendin tonë," shtoi Trump.
Më pas u zbulua se Robinsoni ishte në një marrëdhënie me shokun e tij të dhomës, i cili ishte transgjinor, dhe se ai dyshohet se kishte shkruar një shënim ku thoshte se planifikonte ta "hiqte qafe" Kirk-un.
Lëvizja "Antifa" e merr emrin nga forma e shkurtuar e "antifashist".
Qëllimi i tyre është t'i rezistojnë përhapjes së fashizmit.
Në përgjithësi, aktivistët e Antifa-s e shohin fashizmin si zbatimin e dhunshëm dhe imponimin e pabarazive biologjike dhe shoqërore, megjithëse grupi shpesh është i paorganizuar dhe lëvizja përfshin fraksione të ndryshme me interpretime të ndryshme.
Një nga taktikat më të njohura të tyre është të paraqiten në protesta masive si një "bllok i zi", duke lëvizur me saktësi ushtarake me veshje të zeza, ndërsa kryejnë sulme.
Christopher Wray, ish-drejtori i FBI-së nën Trump, dëshmoi në vitin 2020 se Antifa është një ideologji, jo një organizatë, dhe i mungon struktura hierarkike që normalisht do ta lejonte të shpallej si grup terrorist nga qeveria federale. / Telegraph – Syri.net