'Rama vendos kush shkon në burg, jo drejtësia’, Gurra: Opozita ka dhënë kartën morale, qytetarët duhet të reagojnë. Shqipëria 'lodër' në duart e Soros
Gazetari Hysni Gurra, i ftuar mëngjesin e sotëm në emisionin “Kafe Shqeto”, ka komentuar zhvillimet më të fundit politike, duke u ndalur te çështja e arrestimit të Erion Veliajt dhe situata në Bashkinë e Tiranës.
Gurra tha se vendimi për të çuar Veliajn në burg nuk është rezultat i drejtësisë, por i një ndërhyrjeje të drejtpërdrejtë politike nga kryeministri Edi Rama.
"Çuarja e Erion Veliajt në burg padyshim është dora e Edi Ramës. Nuk ka shkuar Erion Veliaj në burg se drejtësia vendosi të hetojë se çfarë ka blerë Arjola, çfarë shoqatash ka hapur ajo, se Erioni nuk është në burg as për 5D, as për inceneratorët, as për aferat korruptive"- u shpreh Gurra.
Ai u shpreh se në Shqipëri nuk ka vendimmarrje të pavarura, pasi çdo gjë, nga qeverisja vendore te grupet parlamentare, kontrollohet nga Rama.
Sipas Gurrës, “shkarkimi apo ngritja në detyrë e figurave politike nuk vjen si rezultat i ligjit apo meritës, por si pasojë e vendimeve arbitrare të kryeministrit”.
Ai shtoi se edhe Këshilli Bashkiak i Tiranës funksionon vetëm mbi bazën e urdhrave të Ramës, duke theksuar se as ministrat apo deputetët nuk guxojnë të flasin publikisht pa lejen e tij.
Gurra e cilësoi situatën aktuale si “censurë totale” dhe paralajmëroi se vendi ndodhet praktikisht në një autokraci, ku opozita e ka thënë fjalën e saj, por qytetarët mbajnë përgjegjësinë kryesore për mungesën e reflektimit.
Hysni Gurra:
"Çuarja e Erion Veliajt në burg padyshim është dora e Edi Ramës. Nuk ka shkuar Erion Veliaj në burg se drejtësia vendosi të hetojë se çfarë ka blerë Arjola, çfarë shoqatash ka hapur ajo, se Erioni nuk është në burg as për 5D, as për inceneratorët, as për aferat korruptive.
Shkarkimi i Erionit, unë dëgjova dhe doktorin, ky shpjegimi teknik, dhe po të jesh në një vend p.sh. Danimarkë, atje e kuptojnë njerëzit se çfarë po ndodh, por këtu nuk ka nevojë për shpjegime teknike.
Këtu ka rënë për pjesë, këtu është Edi Rama i bën ai si t’i dojë gjërat, shkarkon dikë, ngarkon dikë tjetër, tani ka vendosur që bashkia e Tiranës të mos ketë kryetar (nëse fiton Manastirliu), pasi të gjithë e dimë që ajo nuk kryen asnjë punë pa marrë lejen e Ramës.
Këshilltarët sigurisht do i marrin urdhrat nga Rama dhe fakti që ai e bën publike në Asamble do të thotë se këtu nuk ka tjetër.
Dje pamë se u kishte thënë edhe deputetëve: mos dilni në media, mos flisni. Këtu është censurë totale, si në vendimmarrje, si në votë, si në komunikim publik dhe të paktën këtej nga PD dalin e flasin.
Praktikisht ne jemi në një autokraci. Faji kryesor unë mendoj se është i njerëzve, se gjithë këto vite bëjmë me faj opozitën.
Opozita nuk ka çfarë të bëjë më shumë, ka për detyrë t’i japë një kartë morale të pastër qytetarëve, siç ia dha në Tiranë doktor Ilir Alimehmeti, kandidat për deputet.
Tani të mos dish të dallosh çfarë është Ervin Hoxha, Olta Xhaçka apo kush ishte tjetër dhe kush është doktor Ali Mehmeti, do të thotë se ka një problem tek njerëzit.
E bardha mbi të zezën është e dukshme, kështu që shqiptarët dhe fokusi i analizës time është gjithmonë te njerëzit dhe tek reflektimi i tyre.
Edi Rama ka punuar në mënyrë skematike edhe me ndërkombëtarët: çfarë do Meloni, jepja, çfarë do tjetri, jepja.
Pra, ky po jep copa Shqipërie që nuk është se “u djeg barku shumë atyre” ka demokraci në Shqipëri apo s’ka.
Dy nga vendet që kanë qenë si projekte apo lodra të Sorosit janë Shqipëria dhe Moldavia.
Lexova para disa ditësh një super analizë për Moldavinë, pra se të njëjtin projekt që bën në Shqipëri Sorosi e bën edhe në Moldavi dhe thoshte që atje qytetarët e kanë kuptuar, edhe shqetësimi vjen nga populli pasi e kanë kuptuar se po trajtohen si shtet lodër në duart e një manjati ekstremist".