SYRI TV/ Berisha: Qeveria ‘Rama 4’ më e korruptuara, dekretimi i Diellës një akt skandaloz
Lideri i opozitës, Sali Berisha, e ka cilësuar dekretimin e ministres virtuale Diella si një nga aktet më skandaloze në historinë e shtetit shqiptar. Kryedemokrati u shpreh se “Diella Rama” mund të quhet “Vjedhja e Edi Ramës”, pasi synimi i kësaj lëvizjeje është largimi i përgjegjësisë nga aferat korruptive dhe vjedhjet.
Më tej, Berisha bëri një skaner edhe kabinetit të ri, duke e cilësuar si qeverinë që ka në kurriz aferat më të rënda të shekullit. Lideri i opozitës u ndal edhe te përbërja e re e komisioneve parlamentare, duke pohuar se nuk do të votojnë ndryshimet e propozuara nga Edi Rama.
Lideri i opozitës, Sali Berisha, e cilësoi qeverinë “Rama 4” si më të korruptuarën dhe më të papërgjegjshmen në historinë e vendit. Në një konferencë me gazetarët, Berisha u ndal te ministrja virtuale e prokurimeve publike, të cilën e pagëzoi me emrin “Diella Rama”, dhe tha se është krijuar për t’i lejuar Edi Ramës të vjedhë vetë.
Berisha tha se dekretimi i një ministreje që nuk ekziston nga Presidenti Begaj është akti më skandaloz në historinë e shtetit.
Ai bëri edhe një skaner të kabinetit qeverisës, ku denoncoi lidhjet e ministrave me krimin, korrupsionin dhe kartelët e drogës.
Kryedemokrati nuk la pa atakuar edhe drejtuesit socialistë të komisioneve parlamentare, duke u ndalur te Ulsi Manja, Fatmir Xhafaj dhe Igli Hasani.
Berisha denoncoi shkrirjen e Komisionit të Integrimit, teksa paralajmëroi se opozita nuk do të votojë strukturën e re të komisioneve parlamentare.
Lideri i opozitës komentoi edhe porosinë e Ramës ndaj deputetëve të rinj socialistë që të mos prononcohen për mediat, duke theksuar se kreu i qeverisë e ka shtrirë censurën edhe te grupi parlamentar.
Berisha dënoi dhunën dhe kërcënimin ndaj gazetarit të “Piranjava” dhe heshtjen e policisë, teksa theksoi se kjo është një politikë zyrtare ndaj mediave që kërkojnë transparencë.