VIDEO/ Buzhala: Kam kërkuar vdekjen politike të Thaçit, Gjykata Speciale nuk ka trajtuar vrasjet e shqiptarëve

Analisti nga Kosova, Berat Buzhala i ftuar në ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, ka kritikuar ashpër Gjykatën Speciale për mos-hetimin e vrasjeve të shqiptarëve pas luftës në Kosovë dhe për, siç tha ai, daljen jashtë juridiksionit të vet.

‘Në vitin 2022 po të ishin deputetët që janë aty, pak më të fortë, do e merrnin atë ligj, do e analizonin, do formonin një komision, sepse gjykata speciale është e integruar në Kushtetutën e Kosovës. Nuk e patën as guximin me bë një komision parlamentar, i cili thotë ta shikojmë ligjin që e themelon këtë gjykatë, ta shikojmë aktakuzën, a është se ne e themeluam gjykatën, kur na thanë se Dick Marty, trafikimi i organeve, spastrimi etnik. Gjykata ka dalë jashtë juridiksionit të vet’, - tha Buzhala.

Buzhala u shpreh se, deputetët e Kosovës në vitin 2022 nuk patën guximin që të krijonin një komision parlamentar për të kundërshtuar akuzat.

‘Si është e mundur që kjo shumicë parlamentare, këta njerëz nuk patën kurajo, të ngrinin zërin dhe të thonin se këto aktakuza janë ilegale, kriminale. Por jo kriminale për ata që janë aty, janë kriminale sepse janë kundër ligjit.’

Buzhala theksoi edhe angazhimin e tij personal kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, duke u shprehur se kishte kërkuar vdekjen e tij politike.

‘Unë kam folur në 2019 pa pasur aktakuzë. Unë kam qenë kritiku kryesor i Thaçit deri kur është arrestuar ai. Po të isha unë do ta vazhdoja kështu, sepse kam kërkuar vdekjen politike të tij.’

Duke komentuar mos-hetimin e vrasjeve të shqiptarëve nga Gjykata Speciale, Buzhala u shpreh se, ‘absolutisht ka krime, se këtu ka krime, këtu flas për vrasjet e LDK-së. Cili rast i vrasjeve të LDK-së po trajtohet atje? Asnjëri prej tyre, sepse kjo është komplet. Cili rast i një shqiptari u trajtua atje? Ahmet Krasniqi a u trajtua? Asnjëherë. A u trajtua Ismet Raci, Enver Maloku, këshilltari i Rugovës që u vra pas luftës. Asnjëri. Këtu i kemi 2 mijë njerëz dëshmitarë të përpunuar nga shërbimi sekret serb.’