SYRI TV/ Rama mbledh grupin e PS, cakton kryetarët e komisioneve parlamentare
Partia Socialiste ka caktuar kryetarët e rinj të komisioneve parlamentare, në mbledhjen e parë të grupit parlamentar, që u zhvillua mëngjesin e së hënës.
Përbërja e re e komisioneve parlamentare solli debate mes palëve, pasi Partia Demokratike akuzoi socialistët se po përjashtojnë opozitën nga procesi, duke shkelur procedurat dhe Rregulloren e Kuvendit.
Me nisjen e legjislaturës së re, grupi parlamentar i Partisë Socialiste nisi menjëherë nga puna, për të zbatuar kërkesat e kryeministrit Edi Rama për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, që përfshin edhe strukturën e re të komisioneve, të propozuara nga vetë kryeministri.
Në mbledhjen e grupit u njoftuan edhe kryetarët e rinj të komisioneve parlamentare.
Kështu:
Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat do të drejtohet nga Milva Ekonomi.
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, nga Ulsi Manja.
Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen, nga Bledi Çuçi.
Anila Denaj do të drejtojë Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm.
Blendi Klosi do të jetë në drejtim të Komisionit të Bujqësisë.
Igli Hasani do të jetë kryetar i Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme.
Ndërsa Edi Rama i ka besuar Fatmir Xhafajt drejtimin e Komisionit të ri për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
Përbërja e re e komisioneve dhe ndryshimet e njëanshme në Rregulloren e Kuvendit sollën debate në takimin e parë që kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi me krerët e grupeve parlamentare.
Në përfundim të takimit, kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, deklaroi se socialistët po bëjnë ndryshime të njëanshme, duke shkelur rregulloren dhe Kushtetutën, ndërsa vuri në dukje shkrirjen e Komisionit për Çështjet Europiane, çka i heq opozitës rolin në procesin e integrimit.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, u përpoq të justifikojë vendimet që Edi Rama po i imponon Kuvendit.
Edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, vuri në dukje shkeljen e të gjitha procedurave parlamentare që po bën Partia Socialiste për të miratuar sa më parë ndryshimet në rregullore.
Më herët, në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, burime bënë me dije se kryeministri Edi Rama u ka porositur deputetëve të rinj të Partisë Socialiste, të cilët sapo kanë hyrë në Kuvend, që të mos flasin para mediave, duke paralajmëruar një censurë mediatike. Gjithashtu, ai i ka paralajmëruar që të jenë të kujdesshëm edhe për ato që thonë në takimet me ambasadat e huaja në vend.