SYRI TV/ Rama shton kërcënimet ndaj gjyqtarëve, kërcënon gjyqtarin e Administratives

Çdo punonjës që shkarkohet nga puna prej qeverisjes së Edi Ramës nuk ka të drejtë të ankohet, dhe çdo gjyqtar që i jep të drejtë do të përballet me shkarkim dhe me linçim publik. Ky është kërcënimi i radhës i kryeministrit Edi Rama, i cili ka paralajmëruar të gjithë gjyqtarët e sistemit të drejtësisë që të mos japin më asnjë vendim në favor të zyrtarëve të larguar nga detyra.

Kryeministri Edi Rama thellon skandalin e kapjes dhe kërcënimeve ndaj drejtësisë dhe gjyqësorit. Pas kërcënimeve ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që u jepnin të drejtë qytetarëve kundër aksioneve të fadromave për shembje objektesh, sot kryeministri ka dërguar një mesazh të fortë edhe për çdo gjyqtar që merr parasysh ankesat e punonjësve të larguar nga puna prej qeverisë së tij. Rama ka paralajmëruar se jo vetëm që do të ndëshkohen, por do t’u bëhet edhe gjyq publik.

Mesazhi im është ky:
Kush tallet me interesat e shtetit dhe përqesh ligjin, duke e përdorur pavarësinë e drejtësisë si pavarësi nga vetë drejtësia, e duke dhënë vendime haptazi të paligjshme në dëm të interesit publik, do të përballet me keqbërjen e vet jo vetëm në organet e vetëqeverisjes së gjyqësorit, por edhe në sytë e opinionit publik.

Kërcënimi i kryeministrit Edi Rama u bë ndaj gjyqtarit të Gjykatës Administrative, Marko Boshku. Ky gjyqtar i dha të drejtë ankesës së drejtuesit rajonal të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në Sarandë, i cili ishte shkarkuar si i akuzuar për ndërtim pa leje. Rama e justifikon kërcënimin e tij me faktin se punonjësi i shkarkuar është kallëzuar penalisht dhe, sipas tij, është i fajshëm.

Pa asnjë ngurim, gjykatësi Boshku ka vendosur ta rikthejë në detyrë një shkelës brutal të ligjit dhe mashtrues të kapur me “presh në duar” – e për pasojë të larguar nga detyra dhe të çuar në prokurori!

Ministria e Drejtësisë do t’ia përcjellë “keqbërjen” e gjykatësit Boshku organeve të vetëqeverisjes së gjyqësorit (KLGJ dhe ILD), ndërsa me “birbon” uroi të merret seriozisht drejtësia. Por me këtë rast, dua t’u përcjell një mesazh të qartë edhe gjykatësve si ky Boshku, që pa parë fare dosjet, pa thirrur fare – hiç – shtetin si palë e dëmtuar, urdhërojnë kthimin në punë të të larguarve për paudhësira, si rasti ulëritës i këtij “ujku me mëlçi në qafë” të AMP-së së Vlorës; madje vendosin pa pikë turpi si detyrim të shtetit edhe kaq e aq paga dëmshpërblim për tipa të tillë.

Edhe nëse zyrtari të cilit i referohet kryeministri rezulton i fajshëm, edhe një herë Rama zhduk nga legjislacioni shqiptar parimin e prezumimit të pafajësisë, që është baza ligjore mbi të cilën çdo gjyqtar nuk mund ta cilësojë dikë fajtor pa pasur një vendim të formës së prerë.

Shembulli i shkeljes së prezumimit të pafajësisë ka ndodhur rëndom në sulmet ndaj opozitës. Por për kryeministrin, ky parim është i vlefshëm vetëm kur bëhet fjalë për mos-shkarkimin e ministrave, kryebashkiakëve dhe drejtorëve që i mban në detyrë, me argumentin se nuk kanë një vendim të formës së prerë.