Vrasja e Kirk/ Patel: ADN-ja e gjetur pranë vendit të ngjarjes, i përket 22-vjeçarit Tyler Robinson!
ADN-ja në një peshqir të mbështjellë me një pushkë të gjetur pranë vendit ku u vra aktivisti konservator Charlie Kirk, përputhet me atë të 22-vjeçarit të akuzuar për vrasjen e tij, tha të hënën drejtori i FBI-së, Kash Patel.
Hetuesit kanë përdorur gjithashtu prova të ADN-së për të lidhur të dyshuarin, Tyler Robinson, me një kaçavidë të gjetur në çatinë ku u qëllua me armë zjarri më 10 shtator, tha Patel për Fox News Channel të hënën.
Autoritetet në Utah po përgatiten të ngrenë akuza për vrasje me paramendim kundër Robinson që të martën për vrasjen e Kirk, një figurë dominuese në politikën konservatore, i cili u bë aleat i Presidentit Donald Trump pasi themeloi "Turning Point USA" me seli në Arizona, një nga organizatat më të mëdha politike të vendit.
Kirk, i cili solli në politikë të krishterë të rinj ungjillorë konservatorë, u qëllua të mërkurën ndërsa fliste në Universitetin e Luginës së Utah-ut gjatë një prej ndalesave të tij të shumta në kampus.
Të shtënat ngritën frikën për rritjen e dhunës politike në Shtetet e Bashkuara thellësisht të polarizuara.
Zyrtarët kanë thënë se Robinson kishte një urrejtje për Kirkun, dhe ishte një avokat i "ideologjisë së majtë" që ishte rritur vitet e fundit.
Familja dhe miqtë e Robinson thanë se ai kaloi shumë kohë duke shfletuar "cepat e errëta të internetit", tha të dielën guvernatori i Utah-ut, Spencer Cox.
Patel i tha Fox Neës se Robinson kishte shkruar në një shënim para të shtënave se kishte një mundësi për të vrarë Kirkun dhe do ta bënte këtë.
Hetuesit arritën të rikuperonin përmbajtjen e shënimit pasi ai ishte shkatërruar, tha drejtori i FBI-së, duke parafrazuar nga shënimi pa zbuluar më shumë detaje.
Autoritetet thanë se Robinson nuk ka bashkëpunuar me forcat e rendit. Ata thonë se ai mund të jetë “radikalizuar” në internet, dhe se municionet e gjetura në armën e përdorur për të vrarë Kirk, përfshinin gravura antifashiste dhe në gjuhën e kulturës së memeve.
Të dhënat e gjykatës tregojnë se një gëzhojë plumbi kishte mesazhin: "Hej, fashist! Kapeni!"
Robinson u arrestua vonë të enjten pranë vendit ku u rrit, rreth St. George, në cepin jugperëndimor të Utah-s midis Las Vegas dhe Bryce Canyon dhe Parqeve Kombëtare Zion.
Në këtë fazë është e paqartë nëse ai ka një avokat që mund të flasë në emër të tij.
Homazhet për Kirkun vazhdojnë të vërshojnë në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Një radhë vajtuesish morën pjesë në një vigjilje në Qendrën Kennedy në Uashington të dielën, dhe pati momente heshtjeje në disa ngjarje sportive profesionale.
Zëvendëspresidenti JD Vance, i cili e konsideronte Kirk-un mik të ngushtë, tha se planifikonte të shërbente si prezantues zëvendësues për emisionin e talk-show-t të Kirk-ut në platformën e transmetimit Rumble.
"Ju lutem bashkohuni me mua, teksa i bëj homazh mikut tim", shkroi Vance në një postim në rrjetet sociale./ Euronews.