Barcelona luajti tenis me Valencian, por lojtarët mbetën pa dush pas ndeshjes

Barcelona shënoi një fitore të thellë 6-0 ndaj Valencias, por festa u shoqërua me një situatë aspak të zakontë. Për shkak të punimeve në stadiumit “Camp Nou” dhe pamundësisë për të luajtur në “Montjuïc”, katalanasit u detyruan ta zhvillonin ndeshjen në stadiumin “Johan Cruyff”, përpara vetëm 6 mijë tifozëve.

Megjithatë, pas përfundimit të ndeshjes, lojtarët e Barcelonës nuk patën mundësi të bëjnë dush. Ata u panë teksa dilnin nga ambientet e stadiumit ende të veshur me uniformat e ndeshjes, duke marrë sendet e tyre personale dhe duke u larguar direkt. Një autobus ishte vënë në dispozicion për t’i transportuar drejt pjesëve të tjera të kompleksit, por nuk kishte hapësirë të mjaftueshme për të gjithë.

Ky incident ka shtuar edhe më shumë pakënaqësinë e klubit katalanas për përdorimin e “Johan Cruyff” si zgjidhje të përkohshme. Brenda Barcelonës ka shpresë që shumë shpejt të merret leja për t’u rikthyer ndeshjet në “Camp Nou”-n e rinovuar, megjithëse procedurat ende nuk janë përfunduar.

Tani vëmendja e ‘blaugranave’ është e përqendruar te dy sfidat e ardhshme: vizita ndaj Newcastle në Ligën e Kampionëve të enjten dhe ndeshja e fundjavës kundër Getafes, për të cilën ende nuk dihet se në cilin stadium do të luhet.