“Më merret fryma kur ngjis shkallët”, legjenda e sprintit premton se do të nisë të vrapojë
Usain Bolt bëri rikthimin e tij në botën e atletikës mbrëmjen e së dielës dhe, për një çast, gjithçka ngjante si dikur. Pozimi i tij karakteristik ‘To Da World’ para finales së 100 metrave. Duartrokitjet dhe adhurimi i 60 mijë tifozëve në Stadiumin Kombëtar të Tokios. Një kujtim i lavdisë të së kaluarës.
Jamaikani nuk kishte ndjekur fare atletikë që nga pensionimi në vitin 2017, derisa pa Melissa Jefferson-Wooden dhe Oblique Seville të fitonin medaljet e arta. Ai pranoi gjithashtu se sot kalon kohën duke parë filma, duke ndërtuar me Lego dhe se madje i merret fryma kur ngjitet nëpër shkallë.
Por kur u pyet pse sprinterët e rinj nuk janë aq të shpejtë sa gjenerata e tij, pavarësisht teknologjisë së re të këpucëve dhe pistave, instinkti i tij konkurrues u zgjua. “Doni përgjigjen e vërtetë? Ne ishim thjesht më të talentuar. Kaq. Te meshkujt kjo shihet qartë. Ndërsa femrat janë ndryshe, ato po vrapojnë gjithnjë e më shpejt. Kjo tregon se gjithçka varet nga talenti.”
Bolt, fitues i tetë medaljeve të arta olimpike dhe 11 titujve botërorë, mban ende tri rekorde botërore: 9.58 sekonda në 100 metra, 19.19 në 200 metra dhe 36.84 në stafetën 4×100. Edhe rivalët e tij të dikurshëm, Tyson Gay, Yohan Blake, Asafa Powell e Justin Gatlin, ishin më të shpejtë se brezi i vitit 2025. Që nga viti 2012, askush nuk ka zbritur nën 9.70.
Ai tha se shembulli i Shelly-Ann Fraser-Pryce, e cila me këpucët e reja arriti kohë më të shpejta, dëshmonte se talenti mbetet vendimtar.
Bolt theksoi gjithashtu rëndësinë e personalitetit për të afruar fansat. Kujtoi ceremoninë hapëse të Lojërave të 2012-s, kur valëviti dorën drejt Mbretëreshës së ndjerë, si një mënyrë për të krijuar lidhje me publikun.
Sot jeta e tij është më e qetë. “E nis ditën duke përcjellë fëmijët në shkollë, pastaj pushoj. Ndonjëherë stërvitem, por më shpesh shikoj seriale apo merrem me Lego. Pasdite kaloj kohë me ta, deri sa fillojnë të më bezdisin, pastaj rri në shtëpi duke parë filma.”
Ai pranoi se nuk vrapon më pas një dëmtimi në tendinën e akilit, por premton të rifillojë, pasi “ngjitja në shkallë më lë pa frymë”.
Bolt planifikon të marrë fëmijët e tij në Botërorin ‘Pekin 2027’, aty ku nisi legjenda e tij në Lojërat e vitit 2008. “Jam i emocionuar t’u tregoj: ‘Këtu ndodhi gjithçka’. Do jenë në moshë për ta kuptuar, dhe mund t’ua shpjegoj çfarë ka bërë babai i tyre ndër vite.”